Connect with us

Bota

E shpallur organizatë terrorist/ SHBA vendos sanksione ndaj Hamasit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj zëdhënësit të Hamasit – grupit palestinez që është shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian – dhe udhëheqësve të njësitit për dronë të grupit, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Edhe Bashkimi Evropian ka vendosur njëkohësisht sanksione ndaj Hamasit, tha Thesari.

Sanksionet amerikane kanë shenjestuar Hudhayfa Samir ‘Abdallah al-Kahlut, i njohur edhe si “Abu Ubaida”, i cili është zëdhënës i Brigadës Al-Kasam – krahut ushtarak të Hamasit në Gazë – që nga viti 2007, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Sanksionet po ashtu kanë shënjestuar William Abu Shanab, komandant i njësisë al-Shimali, me seli në Liban, Bara’a Hasan Farhat, i cili është ndihmës i Abu Shanabit dhe është komandanti në njësinë al-Shimali, si dhe ndaj Khalil Muhammad ‘Azzam, një zyrtar i inteligjencës i Hamasit.

“Veprimi i sotëm i përbashkët përforcon përqendrimin tonë të vazhdueshëm, kolektiv të pengimit të aftësisë së Hamasit për të kryer sulme të mëtejme, përfshirë në luftën kibernetike dhe në prodhimin e dronëve”, tha Brian Nelson, nënsekretari për terrorizëm dhe financim të inteligjencës në Thesarin amerikan.

Thesari amerikan u bëri thirrje shteteve partnere dhe aleate që të vazhdojnë “të shënjestrojnë rrjetet e Hamasit, kudo që ato operojnë, përfshirë edhe në domenin kibernetik, tha Nelson.

Sanksionet nënkuptojnë që të gjitha pronat dhe interesat që kanë personat e shënjestruar në SHBA do të bllokohen.

Që nga 7 tetori 2023, Izraeli po zhvillon një luftë kundër Hamasit në Gazë, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë aftësitë luftarake dhe qeverisëse të Hamasit, përderisa nga ofensiva izraelite në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 33.000 persona.

Advertisement