Bota
E tmerrshme/ Nëna nxjerr 5-vjeçaren nga shtëpia, e përdhunojnë dhe më pas e vrasin
Komuniteti lokal i Kansasit është i tronditur nga vdekja tragjike e një vajze 5-vjeçare, e cila per dy javë të jetës së saj jetoi në një kamp të improvizuar të pastrehëve në pyll, sepse nëna e saj e kishte dëbuar nga shtëpia, së bashku me të babai dhe motra e saj.
Vogëlushja Zoe Felix u gjet e plagosur rëndë të hënën në një pikë karburanti pranë vendit ku jetonte me familjen e saj, sipas Departamentit të Policisë Topeka. Vajza e vogël, e cila gjithashtu kishte pësuar abuzim seksual, u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët nuk mundën ta mbanin në jetë. Të nesërmen u arrestua 25-vjeçari Mikel G. Cherry i cili akuzohet për përdhunimin dhe vrasjen e vajzës. Sipas banorëve vendas, i riu ka jetuar më parë për një kohë në të njëjtën shtëpi me vogëlushen, prindërit dhe motrën e saj, përpara se nëna e Zoes t’i nxirrte të gjithë nga shtëpia.
Mjedisi familjar i vajzës ka qenë veçanërisht problematik vitet e fundit, siç raportojnë fqinjët për mediat lokale. Vogëlushja nuk shkonte në kopsht dhe bridhte rrugëve gjithë ditën, pa mbikëqyrje. Disa anëtarë të komunitetit kujdeseshin herë pas here t’i jepnin rroba, ushqim dhe ta mbanin për disa orë në shtëpinë e tyre që ajo të lahej dhe të pushonte.
Vajza e vogël, me sa duket nuk merrte kujdesin që i duhej në shtëpi, vizitonte shpesh shtëpitë e fqinjëve që njihte. “Ajo gjithmonë më pyete ‘a mund të qëndroj më gjatë?’ Zakonisht kur një fëmijë këmbëngul në këtë mënyrë, diçka ndodh në shtëpi”, tha Sanika Bradley, e cila jeton pranë nënës së vajzës.
Si Bradley ashtu edhe fqinjët e tjerë u kishin thënë më parë agjencive në Kansas për “kushtet e mjerueshme” në shtëpinë e familjes së Zoe, e cila ishte plot papastërti dhe nuk kishte as ujë të rrjedhshëm. Siç raportojnë ata, përpjekjet e tyre për të interesuar dikë në krye nuk sollën asnjë rezultat.
“Kam raportuar për neglizhencën e saj. Ajo ishte gjithmonë pis, nuk hante nëse dikush nga ne nuk e ushqente, por mesa duket nuk më kishin marrë seriozisht”, thotë një tjetër banore e zonës.