Politike
E trishtë/ Flet i ati i Enea Themollarit: Atë natë na tha se donte të ikte jashtë!
Enea Thomallari luftoi tre muaj me vdekjen, por nuk ia doli që të shpëtonte! I riu nga Elbasani u plagos rëndë pasi në katin e tyre të pallatit, iu vendos tritol motrave Alda dhe Xhovana Nikolli. Në një rrëfim për “Jetë Shqiptare”, babai i tij, Artur Thomallari tregon ankthin dhe dhimbjen e përjetuar përgjatë këtyre tre muajve. Ai tregoi se i biri, pikërisht natën që u vendos tritoli, i kishte lajmëruar se kishte vendosur që të largohej nga Shqipëria,
“Kanë qenë ditë të dhimbshme. Rrinte gruaja ime, natë ditë, unë nuk e përballoja dot ta shihja djalin ashtu. Ishte djalë punëtor, mbante familjen, me dy pensionistë në shtëpi. Vetëm ai punonte me turne. Atë natë po fliste se donte të ikte jashtë, nuk po i dilte viza për Gjermani dhe po priste ta merrnin në telefon nga Anglia, në atë moment, po shkonte në banjo kur shpërtheu dera. Urgjenca erdhi me vonesë,”- tha ai.
Po ashtu, në rrëfimin e tij tregon se i biri mund të kishte shpëtuar po të dërgohej për trajtim jashtë vendit.
“Nuk kam asnjë mbështetje, përveç ndihmës së disa mjekëve të mrekullueshëm te Spitali i Traumës. Doja ta çoja jashtë, por më thanë që nuk mund të lëvizej,”- deklaroi ai.
Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi katin ku banonin motrat Nikolli, të cilat në ato momente nuk ndodheshin në banesë. Por i dëmtuari i vetëm ishte i ndjeri, Enea. Edhe pse pa asnjë lidhje me ngjarjen, jeta e tij u shua nga lënda plasëse. Ndërkohë që përplasja mes motrave Nikolli dhe të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani ende vazhdon në rrjetet sociale. Pas intervistës ku denoncoi Dumanin, Alda nuk ka komentuar më lidhur me ngjarjen, ndërsa e motra herë pas herë ka çuar mesazhe për vrasësin me pagesë që ndodhet në një qeli të burgut 313 në Tiranë.