Connect with us

Aktualitet

Edhe Gjermania kundër synimit të Serbisë për të vendosur juridiksion gjyqësor në Kosovë

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian edhe Gjermania e ka kundërshtuar synimin e Serbisë për të vendosur juridiksion gjyqësor në Kosovë, duke thënë se kjo shkel qartë detyrimet e dialogut.

Përmes një reagimi në platformën X, Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë i ka kërkuar Serbisë që ta rishqyrtojë këtë projektligj.

Berlini zyrtar ka theksuar se të dyja vendet duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kujtojme se edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se Serbia po I shkel detyrimet e dialogut duke pretenduar t’i gjykojë krimet në Kosovë.

Në këtë linjë ishte edhe Bashkimi Evropian.

Unioni ka theksuar se obligimet e Serbisë dhe të Kosovës në lidhje me juridiksionin e autoriteteve gjyqësore, kanë qenë të qarta që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në vitin 2013.

Disa ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë synim të Serbisë e cilësoi si veprim armiqësor dhe agresiv kundër integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës, duke kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë të reagojnë për këtë sulm të Serbisë.

Qeveria e Serbisë ka njoftuar se ka miratuar një projektligj për, sikurse e ka cilësuar ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë – një masë që synon “mbrojtjen ligjore” të serbëve – krahas projekligjit për shpalljen e Kosovës “zonë të veçantë” të mbrojtjes sociale.

Advertisement