Connect with us

Kosova

Edhe kriminelët ‘kanë zemër’/ Pabesia e Hagës me dënimet për luftën

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili u dënua këtë të martë për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale me 18 vjet burgim, është i dënuari i katërt nga Specialja pas Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt dhe Salih Mustafës.

Të parët ishin dënuar nga Specialja ish-krerët Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj gjatë vitit 2022.

Të dy ishin shpallur fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Por, në shkurt të 2023-s, Apeli ua uli dënimin në katër vjet e tre muaj burgim, ndërsa në fund të 2023-s ua modifikoi dënimet duke i liruar me kusht.

Gjatë vitit 2022, Specialja kishte dënuar për krime lufte me 26 vjet burgim edhe Salih Mustafën.

Mustafa i njohur me nofkën “Cali” ishte shpallur fajtor në disa pika – “torturë si krime lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme” në fshatin Zllash të Prishtinës.

Aktualisht është duke u zhvilluar një tjeter rast gjyqësor, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave për krime lufte.

Sipas organizatës joqeveritare Fondi për Të Drejtën Humanitare, si pasojë e luftës në Kosovë kanë vdekur 13 mijë e 535 persona, janë dhunuar rreth 20 mijë gra dhe ende mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Janë dëbuar afër 1 milion njerëz dhe dëmet e luftës vlerësohen disa miliarda.

Për të gjitha këto, nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviç për Kosovë, Nikola Shainoviç eshte dënuar me 22 vjet burgim.

Pas apelit, dënimi iu zvogëlua në vetëm 18 vjet dhe pasi mbajti dy të tretat e dënimit u lirua fare për sjellje të mirë. Përfundimisht, 12 vjet burgim për mbi 13 mijë të vrarë.

14 vjet më vonë nga dënimi i Shainoviç-it, në të njëjtin qytet, por në një tjetër gjykatë, atë Speciale të Kosovës, Pjetër Shala, është dënuar me 18 vite burgim nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.

Pra, në bazë të këtij gjykimi, Shala është dënuar me po aq vjet sa Shainoviç, bashkë-përgjegjësi për 13 mijë e 535 vrasje dhe 20 mijë dhunime.

Rasti i Shainoviç-it nuk përbën një përjashtim rregulli nga të dënuarit e tjerë serbë për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”. Të gjithë të akuzuarit nga tribunali ndërkombëtar, janë dënuar më pak, se sa është dënuar Shala, për krime lufte dhe ndalim arbitrar.

Dragoljub Ojdaniç, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, u denua me 15 vjet burg.

 

Advertisement