Connect with us

Shkrime

Edhe sikur të mos ekzistonte Sali Berisha, socialistët do duhet ta shpiknin atë

Fakti që ai vijon të jetë prezent në skenën politike, është kapitali elektoral më i madh për një mazhorancë të korruptuar, me një mori skandalesh nëpër këmbë, me çështje penale të hapura dhe me një konsum të thellë nga vitet e pushtetit të gjatë.

Berisha është garanci se sistemi vijon të jetë i fortë përballë drejtësisë, se oligarkia do vijojë të pasurohet sipas parimit pushtetin llokmën e madhe, ndërsa ‘opozitës’ së Berishës llokmën e vogël – për të mbijetuar dhe për të vijuar ‘luftën’ – se media dhe analistët do zihen me njëri-tjetrin për gjithçka, por do dakortësojnë te paprekshmëria penale e politikanëve të llojit të Berishës, Metës, Veliajt apo Ramës.

Me këtë kapital të madh elektoral që kanë përballë, socialistët ia bëjnë ‘kabull’ edhe batutat e lodhura nga pesha e viteve në shpinën e kërrusur të Doktorit, të cilat shërbejnë vetëm si lugë bosh për të mbushur barkun e zbrazur të militantëve, edhe propozimet e tij për një minutë heshtjeje për profesor Sami Repishtin, sepse ata do ishin të gatshëm edhe për njëqind minuta heshtjeje për të gjithë armiqtë apo ish-armiqtë politikë të tij vetëm me kushtin që Berisha t’i shërbente si ‘armik’ apo si ‘gogol’, me të cilin do të mobilizonin elektoratin e majtë dhe do të mbanin larg nga opozita elektoratin gri apo të pavendosur.

Në këtë kuptim, ata janë gati t’i falin atij gjithçka, përfshi edhe kohë të palimituar në foltoren e Kuvendit, mjafton që ai të jetë aty dhe në zgjedhje Edi Rama të tregojë sërish me gisht: Votoni PD-në, merrni Berishën. Siç bëri në zgjedhjet e fundit dhe rezultati u pa si vajti. (Namir Lapardhaja)

Advertisement