Connect with us

Sport

Edhe tre ditë/ Top-pesë ndeshjet e Kupës së Botës

Të dielën, më 20 nëntor, fillon turneu sportiv më i shikuar dhe më fitimprurës në planet. Përgjatë një muaji, Kupa e Botës 2022 do ta magjepsë audiencën dhe do t’i dominojë ekranet televizive e diskutimet e përditshme kudo në glob.

Gjithsej 64 ndeshje do të zhvillohen, përfshirë këtu 48 ndeshje të fazës së grupeve.

E, përderisa të gjitha do të kenë rëndësi, disa ndeshje do t’ia shtojnë turneut një shije të veçantë. Disa për arsye politike, disa për rivalitetin në futboll.

Radio Evropa e Lirë i ka zgjedhur pesë ndeshjet që nuk duhet t’i lini pa i shikuar.

20 nëntor: Katari – Ekuadori

Kjo do të jetë ndeshja hapëse e atij që mund të quhet turneu më kundërthënës i Kupës së Botës në histori dhe presioni do të jetë i madh mbi vendin nikoqir që do të luajë për herë të parë në Kupën e Botës.

Katari do të tentojë t’i reklamojë tetë stadiumet e reja shndritëse dhe infrastrukturën moderne që lidh stadiumet mes vete në shtetin e vogël të Gjirit. Por, do të ketë ende pyetje të mbetura për kostot njerëzore gjatë ndërtimit të kësaj infrastrukture. Më herët këtë vit, The Guardian raportoi se 6.500 punëtorë emigrantë, kryesisht nga Azia jugore, kanë vdekur gjatë 11 vjetëve që kur Katari u zgjodh nikoqir i turneut. Shumë kanë thënë se këto vdekje janë të lidhura me punën në kushte të këqija dhe në nxehtësi ekstreme.

Disa aktivistë besojnë se numri i vërtetë është edhe më i lartë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka thënë se vendi nuk i hetoi dhe raportoi në mënyrë adekuate vdekjet e punëtorëve, pasi që autopsitë e tyre nuk u bënë në mënyrë rutinore. Megjithatë, Katari është kundërpërgjigjur, duke cituar vendimin për pagë minimale mujore prej 275 dollarësh dhe shfuqizimin e një programi sponsorizimi, të quajtur “Kafala”, për të cilin pretendohej se përfshin punë të detyruar.

Por, ka edhe shqetësime të tjera para nisjes së turneut. Homoseksualiteti dënohet në Katar me deri në tre vjet burgim, ndërkohë të drejtat e grave janë të kufizuara. Për më tepër, ka dyshime lidhur me mënyrën se si, në vitin 2010, Katari e fitoi të drejtën e organizimit të turneut, shkaku i pretendimeve për blerje votash dhe ryshfete.

Vlen të theksohet se 15 nga 22 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që e zgjodhën Katarin si nikoqir para 12 vjetësh, janë përballur me kallëzime penale ose janë përjashtuar nga organi qeverisës i futbollit botëror, përfshirë këtu edhe ish-presidentin famëkeq të FIFA-s, Sepp Blatter.

Mbetet ende e paqartë se si do t’i përgjigjen kësaj ekipet e ndryshme. Së fundi, presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, u shkroi letër të gjitha vendeve pjesëmarrëse për t’i kërkuar “të përqendrohen në futboll” dhe duke shtuar se sporti nuk duhet të bëhet pjesëmarrës në “betejat ideologjike dhe politike që ekzistojnë”.

Edhe pse mesazhet e dukshme politike nuk lejohen, disa ekipe para turneut kanë dërguar mesazhe të ndryshme për të drejtat e njeriut përmes bluzave të veshura gjatë përgatitjeve para turneut. Skuadra e Danimarkës do të mbajë bluza me ngjyra më të zbehura, ku logoja nuk do të jetë shumë e vërejtshme, pasi që furnizuesi i tyre, Hummel, tha se “nuk dëshirojmë të jemi të dukshëm gjatë një turneu që u ka kushtuar mijëra njerëzve me jetë”.

Dhe, kur ky turne të nisë të dielën, Katari do të luajë kundër një skuadre, Ekuadorit, që disa besojnë se nuk duhej të ishte kualifikuar fare. Ky është të paktën qëndrimi i federatave të futbollit të Kilit dhe Perusë, që përfunduan pas Ekuadorit në kualifikimet e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës dhe e humbën mundësinë të marrin pjesë në turneun Katari 2022.

Problemi që po vazhdon të diskutohet qe më shumë se një vit ka të bëjë me një lojtar të Ekuadorit, Byron Castillo. Por, a është ai nga Ekuadori? Kili dhe Peru pretendojnë se në fakt kishte lindur në Kolumbi më 1995 dhe jo në Ekuador më 1998, siç thuhet në dokumentet zyrtare të tij. Kili dhe Peruja pretendojnë se Ekuadorit duhet t’i zbriten pikët për përdorim në kualifikime të një lojtari që nuk është qytetas i vërtetë i atij vendi. E gjitha kjo u vendos në fillim të këtij muaji, kur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi se edhe pse ai kishte lindur në Kolumbi më 1995, nacionaliteti i një lojtari përcaktohet nga ligjet kombëtare dhe meqë Ekuadori e njeh Castillon si qytetas ekuadorian, ai mund të luajë për ta dhe Ekuadori mund të luajë në Kupën e Botës.

Megjithatë, ata u ndëshkuan për përdorimin e dokumenteve me informata të rrejshme, kështu që Ekuadori do t’i nisë kualifikimet për Kupën e Botës të ardhshme me minus tri pikë. Përfundimisht, Castillo nuk ishte pjesë e listës së lojtarëve të zgjedhur nga Ekuadori për Kupën e Botës, sipas të gjitha gjasave për të mos rrezikuar asgjë ligjërisht. Dhe, kështu mund të thuhet me siguri se ndeshja hapëse e Kupës së Botës do të jetë e pabesueshme në shumë aspekte.

27 nëntor: Spanja – Gjermania

Përballja e “peshave të rënda” në fazën e grupeve do t’i vë përballë njëra-tjetrës dy gjigantë të futbollit, që së bashku numërojnë pesë kupa të këtij turneu.

Por, kjo do të jetë gjithashtu një përballje mes dy vendeve që po tentojnë ta rigjejnë versionin e pandalshëm të vetes pas disa viteve më të dobëta. Përveç kampionit aktual të botës, Francës, shumë pak vende e kanë dominuar këtë shekull sa “La Furia Roja” dhe “Die Mannschaft”.

Spanja fitoi pothuajse gjithçka që i doli përpara mes viteve 2008 dhe 2012, duke e fituar Kampionatin Evropian dy herë radhazi dhe Kupën e Botës në vitin 2010 me stilin e tyre të bazuar në pasime dhe posedim të topit, tiki-taka.

Ndërsa, Gjermania i dha fund dominimit spanjoll, pas shumë tentimeve të dështuara, në vitin 2014 kur e fitoi Kupën e Botës me skuadrën e saj të fuqishme dhe dinamike.

Në skuadrat e tyre ende ka mbetur një numër i vogël i lojtarëve që morën pjesë në ato suksese, por dy ekipet janë në kërkim të një identiteti të ri dhe mënyrave të reja për të arritur suksese sërish. Dhe, përderisa ky mund të jetë turneu i fundit i Kupës së Botës për dy futbollistët më të mirë të shekullit XXI deri tani – argjentinasin Lionel Messi dhe portugezin Cristiano Ronaldo – yjtë e ardhshëm do të jenë në shfaqje kur Gjermania dhe Spanja të përballen në Katar.

Në mesfushën e Spanjës do të jenë dy adoloshentët që po cilësohen si sensacion, 19-vjeçari Pedri dhe 18-vjeçari Gavi. Ndërkohë, 19-vjeçari Jamal Musiala dhe 17-vjeçari Youssoufa Moukoko do t’i ofrojnë Gjermanisë shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen.

2 dhjetor: Serbia – Zvicra

Në pamje të parë, kjo duket si ndeshje pak a shumë e zakonshme që përfshin dy skuadra evropiane të mira, por jo të mahnitshme. Mirëpo, këtë ndeshje e bën interesante pjesëmarrja e dy yjve të ekipit të Zvicrës, kapitenit Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirit, me prejardhja nga Kosova.

Kjo ndeshje do të jetë edhe më interesante pasi që do të jetë ndeshja e fundit e fazës së grupeve dhe kjo zakonisht do të thotë që skuadrat do të jenë në luftë për të kaluar në fazën e radhës. Dhe, natyrisht, është edhe ajo që kishte ndodhur herën e fundit kur këto dy skuadra u përballën në vitin 2018, në Kupën e Botës në Rusi, në atë që duhet të ketë qenë ndeshja më e ngarkuar politikisht në atë turne.

Këpucët e Shaqirit kishin flamurin e Kosovës të qëndisur dhe u raportua edhe për thirrje kundër shqiptarëve dhe se, në mesin e tifozëve serbë, kishte njerëz që mbanin bluza me fytyrën e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.

Xhaka dhe Shaqiri luajtën rol kyç në atë ndeshje, duke shënuar të dy në fitoren dramatike me rezultat 2:1. Në njërën nga fotografitë më të përmendura të atij turneu, Xhaka dhe Shaqiri festuan duke e bërë shqiponjën me duar si simbol shqiptar, të cilin Serbia e cilëson “ofendues”.

FIFA i ndëshkoi të dy lojtarët me nga 10 mijë franga për “sjellje josportive”. Ndeshja në Katar do të zhvillohet edhe mes tensioneve të fundit në veri të Kosovës dhe, për të gjitha këto arsye, nuk duhet ta lini pa shikuar.

2 dhjetor: Gana – Uruguaji

Disa orë para ndeshjes mes Serbisë dhe Zvicrës, do të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje me shumë inate. Por, inatet në këtë ndeshje kanë të bëjnë vetëm me futboll.

Dhe, për ta kuptuar kontekstin, duhet të kthehemi në Kupën e Botës që u zhvillua në Afrikën e Jugut në vitin 2010 – kur Kupa e Botës u mbajt për herë të parë në kontinentin afrikan. Shumica e tifozëve neutralë donin që një skuadër afrikane, cilado prej tyre, të kishte suskes. Dhe, pasi vendi nikoqir dhe vendet e tjera afrikane u eliminuan qysh në fillim, në fazën e grupeve, e vetmja skuadër nga kontinenti afrikan që kaloi në fazën e radhës ishte Gana. Pasi e mposhti SHBA-në në kohë shtesë, Gana u përball me Uruguain në çerekfinale.

Edhe pse nga to kanë dalë disa nga lojtarët më të mirë individualë në futboll, shpeshherë me rol kyç në skuadra të mëdha evropiane, asnjëherë nuk kishte ndodhur që një ekip afrikan të arrinte përtej çerekfinaleve në Kupën e Botës – Kameruni në vitin 1990 dhe Senegali në vitin 2002 i kishin shkuar më së afërti realizimit të kësaj ëndrre.

Por, tani, në Afrikë, kishte ardhur koha për ndryshim. Ndeshja përfundoi me rezultat baras 1:1 pas 90 minutave, ndërsa në momentet e fundit të 30 minutave të kohës shtesë, Gana mendoi se kishte shënuar golin e fitores. Në një sekuencë kaotike, një lojtar i skuadrës afrikane e kishte goditur topin me kokë drejt rrjetës uruguaiane që dukej e pambrojtur, por një urugaian ia kishte mohuar golin duke e pritur topin me dorë.

Lojtari në fjalë ishte Luis Suarez. Ai u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Ganës iu dha penallti.

Por, ylli i skuadrës, sulmuesi Asamoah Gyan, u tregua i pasaktë, duke e goditur shtyllën. Suarez, në mënyrë josportive, e kishte festuar humbjen e penalltisë sikur ta kishte fituar të gjithë Kupën e Botës. Dhe, ai festoi edhe më shumë kur Uruguai e fitoi ndeshjen në gjuajtjet e penalltisë, duke pretenduar se e kishte bërë “pritjen më të mirë të turneut”.

Shumë njerëz e quajtën atë “njeriun më të urryer në Afrikë”. Dhe që nga atëherë, Suarezi është shndërruar në një ndër personat më kundërthënës në botën e futbollit, duke pasur si momente të jashtëzakonshme, po ashtu edhe momente çmendurie në karrierën e tij. Për shembull, ai është dënuar me suspendim për kafshim të kundërshtarëve plot tri herë dhe, gjithashtu, është shpallur fajtor për simulime, mashtrime dhe shkelje mbi kundërshtarët, madje edhe abuzim racor të tyre.

Dhe tani, 12 vjet pas asaj ndeshjeje legjendare, dy skuadrat do të përballen sërish.

Dhe kush do të luajë për Uruguain? Suarezi që tani është 35-vjeçar. Dhe, për më tepër, ende asnjë skuadër afrikane nuk ka arritur të kalojë përtej çerekfinaleve të Kupës së Botës.

29 nëntor: Irani – SHBA

Dy vende, të cilat kanë pasur mospajtime me njëra-tjetrën që kur revolucioni i vitit 1979 e rrëzoi Shah Mohammad Reza Pahlavin pro-perëndimor nga pushteti, do të përballen ndërmjet vete në Kupën e Botës që po mbahet për herë të parë në Botën Arabe.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në një periudhë kur përpjekjet diplomatike për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, po lëkunden, perëndimi po vendos sanksione për mbështetjen ushtarake të Iranit për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe pjesa më e madhe e botës po tronditet nga shtypja ndaj grave dhe vajzave protestuese nga regjimi i Teheranit.

Disa thonë se raporti dhe politika nuk duhet të përzihen, por është e vështirë të imagjinohet se si do të bëhej një gjë e tillë për këtë ndeshje. Edhe për këtë ndeshje ka precedentë: në Kupën e Botës të vitit 1998 u zhvillua përballja mes tyre që njihet si “nëna e të gjitha ndeshjeve”.

Atëherë, gjithçka ishte koordinuar me kujdes: lojtarët iranianë raportohet se ishin ndaluar nga vetë Ayatollahu të shkonin drejt amerikanëve për t’ua dhënë dorën, kështu që amerikanët ishin nisur drejt tyre përderisa iranianët u jepnin trëndafila të bardhë. Të 22 lojtarët pastaj kishte pozuar për një foto si zakonisht. Ndeshja kishte kaluar pa asnjë incident dhe Irani e kishte mbyllur me fitore me rezultat 2:1 – fitorja e parë në histori për Iranin në Kupën e Botës.

Një muaj më vonë, ata luajtën një ndeshje miqësore në SHBA, kur shumë thanë se futbollistët kishin arritur më shumë për 90 minuta sesa diplomatët për dekada të tëra.

Këtë herë, tensione do të ketë sërish, por fokusi do të jetë në përgjigjen e skuadrës së Iranit ndaj të gjitha trazirave. Disa, përfshirë aktivistë për të drejtat e njeriut, kanë bërë thirrje që Irani të përjashtohet nga turneu për shkak të ngjarjeve në Teheran dhe Federata e Futbollit e Ukrainës e ka bërë të njëjtën kërkesë shkaku i mbështetjes që Teherani zyrtar po i jep Kremlinit.

Por, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Megjithatë, duhet të tregoheni vigjilentë për çfarëdo shenje që mund të shfaqet në mesin e lojtarëve dhe spektatorëve.

Disa njerëz kanë bërë thirrje që të këndohet në stadium emri i Mahsa Amini, 22-vjeçares që vdiq në shtator sa ishte në mbajtje policore për mënyrën se si e kishte veshur hixhabin.

Dhe, në shenjë proteste, vetëm disa nga lojtarët iranianë e kënduan himnin kombëtar gjatë ndeshjes miqësore kundër Nikaraguas javën e kaluar. Kjo është një ndeshje ku do të jetë e vështirë të injorohen simbolet politike.

Sport

‘Rrezikova të vdisja’, rrëfimi i Ylber Ramadanit: Më trajtuan si fëmija i presidentit

Ylber Ramadani ka kaluar momente të vështira për shkak të një problemi në qafë, që i shkaktoi vështirësi në frymëmarrje. Për DAZN lojtari i Kombëtares dhe Leçes ka thënë se gjendja ishte shumë serioze, teksa rrezikoi të vdiste.

“Isha vërtet shumë i sëmurë, rrezikova të vdisja”, përsërit Ramadani dy herë për DAZN Talks.

Më pas mesfushori i Kombëtares Shqiptare i falënderon të gjithë. “President, drejtor sportiv, trajner, klub ishin të gjithë pranë meje. Isha shumë i shqetësuar, por tani jam mirë. Për dhjetë ditë më shikonin sikur të isha fëmijë i presidentit apo drejtorit.”

Më 23 prill Leçe lëshoi ​​një komunikim zyrtar mjekësor.

Leçe njofton se futbollisti Ylber Ramadani pësoi një infeksion në qafë javën e kaluar i cili i shkaktoi vështirësi në frymëmarrje për disa ditë. Futbollisti iu nënshtrua menjëherë analizave dhe terapive të specializuara të cilat e lejuan të shmangte operacionin Deri më sot ai ka kapërcyer fazën akute dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit.”

 

Continue Reading

Sport

Partizani, Shehi para Skënderbeut: Futemi në fushë për fitore, kjo skuadër lufton deri në fund për trofeun

Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, është shfaqur sot para mediave për konferencën para ndeshjes gjysmëfinale të “Final Four” ndaj Skënderbeut.

“Është e vërtete që nis një fazë e re, por fazë shumë e shkurtër prej 10 ditësh dhe vetëm dy ndeshje, të cilat vendosin shumë. Pas 36 javësh jemi munduar të freskonim pak skuadrën me disa minuta më pak në ndeshjen e fundit që në këtë periudhë të riaftësojmë dhe afrojmë me grupin Taipin e Carën që i janë bashkëngjitur pjesës tjetër të skuadrës. Skuadra është e plotë dhe e përqendruar për takimin e nesërm.

Kemi edhe një seancë të fundit stërvitore sot dhe aty do të vendosim përfundimisht se kush do ta nisë nga fillimi e kush jo. Pas seancës së sotme do e vendosim, edhe pse e kemi një ide. Pas saj do të vendoset 100%.

Me të gjitha skuadrat vijmë pas një përballje prej 4 herësh se kështu është formati. Me disa ke një bilanc pozitiv, me disa je aty-aty, apo me disa të tjera bilanci është negativ. Unë mendoj se në këtë fazë, cilado skuadër që futet, mund të ketë pretendimet e veta, çka e vështirëson shkallën e vlerësimit dhe përqendrimit, se një ndeshje është, nuk ka tjetër. Dhe në kuadrin e kësaj, ne do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, ka objektivat e veta dhe është skuadër që do të kërkojmë ta mundim për të shkuar në finale.

 

 

Barazimi? Kur futesh në ndeshje të tillë, e shoh si ndeshje Kupe, me formatin e viteve më përpara, kur ke marrë rezultat të mirë në ndeshjen e parë në fushën e ekipit kundërshtar dhe kur kthehesh në shtëpinë tënde ke dy rezultate. Mendoj se nuk është se na favorizon shumë, por duhet ta kemi si pikë orientimi për të mos e humbur përqendrimin, që të mos e mendojmë në asnjë sekondë që kemi dy rezultate dhe kjo na ul pastaj dozën e përqendrimit, vlerësimit dhe motivimit se në futboll gjithçka ndodh dhe nuk ia lëmë asnjëherë asaj që edhe me barazim kalojmë.

Se për çfarë luan Skënderbeu, nuk më takon mua të flas, të ketë objektivat e veta dhe bëjë çfarë të dojë. Objektivi ynë i vetëm është që me 26 maj të shkojmë në finale.

Formulën e dinim që në fillim, mendoj se Partizani ka zhvilluar sezonin e dytë të mirë dhe mbi mesatare dhe shumë të mirë. Pse e them këtë? Sepse nëse vitin e kaluar e mbylli kampionatin me 67 pikë, këtë vit e mbyll me 64 pavarësisht se çfarë formule është. Dhe kjo tregon vazhdimësi, një qëndrueshmëri të skuadrës dhe mentalitet të mirë. Mendoj se në Shqipëri, nga eksperienca që kam unë, shumë pak skuadra mund ta bëjnë këtë, që të kenë një vazhdimësi dhe të mbyllin kampionatet vitin mbrapa me të njëjtën kuotë pikësh. Kjo tregon mentalitet dhe vazhdimësi, duhet të ngulmojmë për këtë pasi është shumë e rëndësishme në ngulitjen e mentalitetit dhe atë që duam ne, që skuadra jonë të jetë gjithmonë në majë të renditjes”, tha ndër të tjera Shehi.

Continue Reading

Sport

Juventus fiton Kupën e Italisë

ROMË – Juventusi mundi 0-1 Atalantën në ‘Olimpico’ për finalen e Kupës së Italisë dhe siguroi trofeun numër 15-të në këtë kompeticion, më shumë se gjithë skuadrat e tjera në Itali. Skuadra e Max Allegrit nuk del pa trofe këtë sezon, teksa bëri një lojë mbrojtëse, kjo edhe falë paraqitjes së mirë nga bergamaskët.

Ndeshja do niste malore për Atalantën që pësoi gol pas vetëm katër minutave lojë. Një aksion i bukur bëri që Vlahovic mos falte dhe me të djathtën kaloi “Zonjën” shumë shpejt në epërsi. Pas golit të pësuar Atalanta kontrolloi pothuajse shumicën e lojës, por pjesa e parë u mbyll me shumë raste.

Fraksioni i dytë i lojës nisi me Atalantën në kërkim të barazimit. Mbrojtja e bardhezinjve u tregua në nivelin e duhur duke mos pësuar, teksa Vlahovic gjeti rrjetën e dytë në minutën e 75.

Në këtë moment ‘në lojë’ u fut VAR, që për milimetra anuloi golin e dytë të serbit. Më pas Atalanta kishte mundësi me Lookman, që nga jashtë zone e stampoi topin në shtyllën e djathtë pingule të Perin, teska ‘Zonja’ ishte me fat.

Në kundërsulmin e radhës, Miretti ktheu “reston” dhe goditi shtyllën për Juven, ndërsa Berat Gjimshiti luajti 90 minuta dhe u ndëshkua me kartonin e verdhë. Notë 7.4 për kapitenin e Kombëtares që zhvilloi një paraqitje të mirë, por pa mundur të fitojë trofeun e parë me Atalantën. Gjatë minutave shtesë Max Allegri, trajneri i Juves “u tërbua” me arbitrin, teksa Maresca e dërgoi para kohe në dhomat e zhveshjes me karton të kuq.

Në fund të gjashtë minutave shtesë Juve siguron trofeun e 15-të në Kupën e Italisë, ndjekur nga Roma e Inter me nga nëntë të tillë. Atalanta e ka fituar këtë trofe një herë në vitin e largët 1963.

VIDEO E GOLIT (KLIKO)

Continue Reading

Sport

VIDEO / Taulant Xhaka nuk e duron provokimin kundërshtarit, e ndjek deri në zhveshtore

    

Mesfushori Taulant Xhaka s’e ka duruar provokimin e portierit kundërshtar, ku vendosi ta ndjek deri në zhveshtore e pastaj ndërhynë lojtarët për t’i ndarë.

Baseli mori një fitore të madhe 2:0 ndaj Lausenn-Sport, por pas pjesës së parë ndodhi një incident mes lojtarëve.

Kapiteni i Baselit Xhaka vrapoi nga gjysma e fushës në kabinë për t’u përleshur me portierin Jeremy Vachoux, i cili ngacmojë tifozët e skuadrës kundërshtare

Duke paë mënyrën si Xhaka iu afrua kundërshtarit, lojtarët e dy skuadrave reaguan menjëherë për t’i ndarë e qetësuar situatën.

 

Continue Reading

Sport

Manchester City mposht 0-2 Tottenhamin dhe ‘prek’ titullin e Premier League, Spurs zyrtarisht jashtë Champions League

Manchester City fitoi 0-2 kundër Tottenham në Londër edhe është me “një dorë” te titulli kampion për të katërtin vit radhazi në Premier League. Haaland me dopietë bëri që Tottenham zyrtarisht të jetë jashtë Champions League për edicionin e ri.

 

Në Londër ndeshja nisi me skuadrat të kujdesshme. Dueli i prapambetur për raundin e 34-t u zhbllokua nga Haaland në minutën e 51. Sulmuesi nuk gaboi pas asistit të De Bruyne dhe me portën e boshatisur nuk e kishte të vështirë të tundte rrjetën.

 

Në minutën e 69 City u detyrua të bënte një zëvendësim të detyruar, me portierin Ederson që doli i dëmtuar dhe vendin e tij e zuri Ortega. Pikërisht ky i fundit bëri heroin e “Qytetarëve” duke ndalur Son në një aksion “tek për tek”, me pritjen me këmbë që ishte deçizive në minutën e 85-të.

Në shtesën e parë sërish Haaland ktheu në gol një penallti të fituar nga Doku, duke bërë që pas javës së 37-të Man. City të rikthehet në krye të Premier League me 88 pikë, dy më shumë se Arsenali.

Do jetë e diela e 19 majit kur Premier League do zhvillojë javën e fundit të sezonit, atë të 38-të dhe Manchester City duhet të fitojë në shtëpi kundër West Ham për të mbrojtur titullin kampion, teksa Arsenal duhet të shpresojë në “një nder” nga West Ham dhe të fitojë kundër Everton për të fituar trofeun e Premier League. Dukshëm City është me “një dorë” te titulli kampion.

Nga Premier League zyrtarisht në Champions League për sezonin e ri do marrin pjesë ekipet e Man. Cityt, Arsenalit, Liverpoolit dhe Aston Villas.

Renditja e Premier League pas javës së 37-të:

Continue Reading
Advertisement

TRENDING