Politike
Edi Rama i pastrehë, mediat greke: Ende s’ka një vend për takimin me emigrantët
Edi Rama deri tani është ‘i pastrehë’”. Ky është komenti i medias greke Protothema, e cila 5 ditë përpara takimit të kryeministrit me emigrantët në Athinë, raporton se organizatorët po vijojnë kërkimet për të gjetur një vend ku tubimi do të zhvillohet.
Thrilleri me gjetjen e hapësirës së nevojshme për tubimin e 12 Majit që nisi me refuzimin e bashkisë për të lejuar zhvillimin e tij në Teatrin e Krishtlindjeve në Galatsi vijon.
Tentativa e organizatorëve për të përdorur Stadiumin e Paqes dhe Miqësisë për takimin e Ramës me emigrantët në Athinë duket se nuk po ecën përpara dhe mund të mos finalizohet me sukses.
Nga oragnizatorët shqiptarë deri në mëngjesin e sotëm nuk është dërguar zyrtarisht asnjë kërkesë në drejtim të administratorëve të SEF-it, që do të çonte në mbledhje të bordit për të miratuar ose jo kërkesë. E po ashtu sipas Protothema nuk ka pasur as ndonjë ofertë financiare.
Është kërkuar sipas medias greke verbalisht nga pala shqiptare që të shfrytëzohet për këtë tubim, arena ku luan Olympiacos, por nuk ka pasur një kërkesë zyrtare me shkrim.
Sfida për të gjetur një vend për tubimin vjen në një kohë kur partia opozitare SYRIZA por edhe deputetë të “Demokracisë së Re” e kanë cilësuar provokim takimin e Ramës.
Ndërkohë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i dha fund zërave për ndalimin e vizitës së shefit të qeverisë shqiptare ditën e djeshme.
“Ai tregon se nuk është i ftuar i qeverisë, po vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij. Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme, prandaj thashë që është një zgjedhje e panevojshme”, tha kryeministri helen.