Shkrime
Edi Rama, i vetmi njëri që kontrollon kaosin, por makineria e regjimit nuk e ka fundin nën sqetull
Nga Sonila Meço
Nëse ka një makineri që nuk rresht së punuari, pavarësisht se ditë festash nuk është shteti. Ai pushon që ç’ke me të, madje nëse e urdhëron pushteti edhe del jashtë funksioni.
Por “perpetum mobile” që të çmend kokën si potere me volum të lartë është manipulimi psikologjik, loja me nervat e publikut nga një pushtet diabolik.
E kemi mësuar përmendësh manualin e përdorimit të kësaj strategjie. Ajo nuk synon bindjen, por të detyrojë publikun ta pranojë si të natyrshëm kontrollin e plotë të tij nga pushteti.
Kryeministri nuk ka nevojë që qytetarët ta besojnë. Për të mjafton që ata të ndjejnë se çdo gjë e paracakton ai. Nuk i kërkon popullit dashuri, por ngulitjen e idesë se ai është hapa më përpara, metra më lart. E shijon këtë marrëdhënie asimetrike me shoqërinë si i vetmi që “di lojën”, i vetmi që “kontrollon kaosin”, i vetmi që “parashikon fillim e fund”.
Kësisoj nis e shpjegoj arsyen e mbushjes së opinionit publik edhe në këto ditë ende me “shërbet” me ca gjysmë lajme e pluhur thashethemesh për emra të paracaktuar nga vetë kryeministri si drejtues qeverie teknike, ende pa mbledhur mendjen të largohet.
E kam dyshimin se thashethemet për emra të mundshëm “kryeministri teknik” i hedh në qarkullim vetë pushteti për të dërguar mesazhin, se situata është ende nën kontrollin e tij. Po u thotë të gjithëve se edhe largimi, nëse ndodh, do të bëhet sipas kushteve të tij.
Nuk i intereson as vetë opozitës, as faktorëve jashtë pushtetit të dalin me emra konkretë, kur thelbi për këdo nuk pajtohet me regjimin është fundi i këtij sistemi e jo “heroi” i radhës.
Pushtetit po! I intereson që ç’ke me të një demonstrim epërsie, duke u treguar aktorëve politikë, intelektualëve dhe publikut se edhe ideja e largimit të mundshëm të kryeministrit kalon përmes tij.
Tipike e pushtetit narcizist, të simulosh dorëzimin për të ngulitur ndjenjën e kontrollit në masë. Të flasësh për fundin për ta bërë atë të duket i pamundur. Në psiko-analizë, ai që do të kontrollojë fundin, do të kontrollojë edhe frikën nga fundi.
Për këtë lloj pushteti, rreziku i vërtetë nuk është sulmi frontal, as opozita, as drejtësia, por qartësia institucionale që mund të fitojnë qytetarët për t’ja çmontuar lojën psikologjike që bëri kaq kohë me ta.
Mesazhi i dytë që synon të përhapet në opinionin publik është po aq i qartë: “Zgjedhjet i fitoj sërish. Edhe alternativën e kontrolloj unë.”
Kjo taktikë ka një efekt anësor shumë të rrezikshëm, sepse përdor intelektualë dhe figura publike si mjete psikologjike.
Çdo emër i përfolur, edhe pa dëshirën e tij, kthehet në pjesë të lojës, duke i dhënë pushtetit pamjen e pluralizmit, duke dobësuar idenë e një opozite reale, duke e spostuar debatin nga sistemi te individët.
Nëse në mesazhin e parë, mjaftojnë ca psikologë të mirë e të ndershëm të sqarojnë publikun, në mesazhin e dytë lind një detyrim etik dhe institucional i çdo intelektuali serioz, që gjen emrin e vet të përdorur në këtë kontekst nga një pushtet i kalbur, i korruptuar, i kriminalizuar dhe tashmë i diskretituar edhe ndërkombëtarisht.
Dy rrugë ka, ose gjithkush e gjen veten të përmendur të sqarojë publikisht nëse ka apo jo ambicie për një rol të tillë dhe në çfarë kushtesh. Ose të deklarojë qartë se nuk pranon të përdoret si dekor legjitimizues i një pushteti të diskretituar e të pashpresë.
Heshtja nuk lexohet si neutralitet në këtë rast, përkundrazi është pjesë e mekanizmit të një pushteti që luan me psiqikën e dërrmuar të publikut. Çdo paqartësi bëhet mjet manipulimi. Dhe kur figura publike lejojnë këtë paqartësi, edhe pa qëllim, forcojnë perceptimin e kontrollit absolut të pushtetit aktual.
Këto janë kohë historike, që ndajnë epoka. Ra Maduro dhe pamë se sa seriozisht po merren pushtetet e kriminalizuara. Ndaj detyrimi i parë i kujtdo intelektuali, personaliteti nuk mund të jetë ambicia personale për marketing në kohëra kolere, por refuzimi për t’u bërë instrument i një loje që simulon tranzicionin për të shmangur ndryshimin real.
Kjo mendoj se është vija ndarëse mes aktivizmit për një Shqipëri më të mirë dhe bashkëpunimit pasiv me pushtetin