Connect with us

Shkrime

Edi Rama me ca shushka nga Brukseli/Rri në krevat me fustan të hequr, por populli nuk e ndjen

Nga Agim Xhafka

U bënë muaj e muaj që Rama me të tijtë po na rrokanis kokën me suksesin madhështor të çeljes së kapitujve për pranimin në BE.

Gati po shkrepen fishekzjarre për një proces rutinë, të rëndomtë dhe të paevitueshëm. E në çdo kapitull që hapet patjetër do jetë kryeministri ynë si kollovar komik. Me batuta filmash shqiptarë të realizmit socialist krijuar para 40 vitesh.

Nga podiumi i Brukselit, me ca shushka burokrate në krah që impresionohen nga gjatësia e Ramës dhe mjekra babo Natale e tij, gati sa nuk po na mbush mendje që ja, hymë në Evropë po nuk e keni kuptuar ende, jemi atje tani, e sigurt. Mungojnë ca gjëra të vogla, ama u martuam me BE-në.

E meqë e ka qejf këtë metaforën me martesën i duhet thënë se xhveshja e pantallonave të dhëndërit apo e fustanit të nuses nuk të bën me fëmijë. Do punë puna.

Ndërsa borizani ynë lëshon pasthirrma fitoreje na vjen ndër mend që Turqia ka 38 vjet që i ka çelur negociatat dhe në vend numëro. Nuk është në BE. Dhe Mali i Zi ku e ku më demokratik se ne e ku e ku me më shumë tregues të mirë se ne ka 12 vite që rri në krevat, me fustan të hequr. Gjithë kapituj i ka çelur, por ende nuk i ka mbyllur. Pra pret, e pret, e pret.

Edi Rama këtë lloj burokracie e njeh mirë. Por si mashtrues patologjik kërkon të përfitojë nga hiçi. Vaj nga pleshti, thotë populli.

Çelja e kapitujve u ngjan mësimeve në shkollë. Është fiks si hapja e fletores. Kështu thotë mësuesi i matematikës, i gjuhës, i fizikës, i kimisë. E nxënësi e hap, me stilolaps në dorë pret vazhdimin. Ose problemin në algjebër, ose ushtrimin në gjeometri, ose hartimin në gjuhë.

Pra, pas çeljes së kapitujve, ose hapjes së fletoreve, duhet të bësh plot punë. Me tru, me mend, me ndjenjë. Më tej, në se i zgjidh drejt, pritet nota. Ajo nuk vihet që sa hap fletoren, që pa shkruar një gërmë. Vendoset në fund. E me sa po duket me nxënësin Rama dhe me shokët e tij që janë tapë-topi në lëndët e demokracisë BE do të vendosë notë pakaluese për vite e vite. Po qeveria prapë do mburret kot më kot. I hapëm kapitujt, do të thotë.  Ja dhe pak e hyjmë në BE. Kemi hyrë, por ende ju populli nuk e ndjeni, nuk e kuptoni.

Advertisement