Shkrime
Edi Rama si alibi për të tredhurit nga Berisha
Nga Mero Baze
Të gjithë ata që nuk duan të shikojnë në sy problemin e përçarjes së opozitës shqiptare përpiqen të gjejnë një alibi, dhe ai është Edi Rama.
Ideatori i parë i kësaj teze është Sali Berisha, fajtori vet. Njeriu që u vu në qendër të strumbullarit të përçarjes së opozitës dhe që i tha PD: “ose me mua, ose vdis”, shpiku tezën se mua nuk më ka nxjerr “non grata” SHBA por Edi Rama, për të përçarë opozitën.
Në fillim pas kësaj marrëzie shkuan normalisht vetëm trushplarët e tij. Të tjerët rezistuan deri në betejën epike të 8 Janarit kur me vare sfurqe e bomba dore ju turrën selisë së PD.
Pas asaj beteje e cila u duk se ndau përfundimisht në dy pjesë PD, në fakt filloi një proces i ri dekompozimi. Heronjtë e Vrana Kontit brenda Kështjellës së SHQUP filluan të ndjehen të gjithë Skënderbe, dhe në varësi të delirit filluan të marrin pozicione më të buta ndaj Berishës duke ndërruar alibinë e përçarjes e duke shkuar tek Edi Rama.
Kjo në fakt është nje vijë demarkacioni për të kuptuar se si e mendojnë të ardhmen opozitarët shqiptarë.
Unë njoh plot njerëz dinjitar por që jeta i ka lënë peng tek Sali Berisha, por që së paku në tavolinë ta thonë që gjithë këtë rrëmuje e kemi prej Sali Beirshës edhe pse qëndrojnë me të se nuk pëlqejnë Lulin apo të tjerët.
Kjo kuptohet.
Por gjithë të tjerët që janë me Bashën apo neutralë, apo kundër Bashës e Berishës apo ndoshta dhe me veten e tyre dhe nuk konsiderojnë Berishën fajtorë për përçarje por Edi Ramën, në fakt janë me Berishën . Kot rrinë rrugëve të shkojnë me Berishën.
Edi Rama është shumë i lumtur kur e akuzojnë që ka përçarë PD . Është një nga ato dekoratat fals që atij i shijon shumë.
Edhe pse nuk ka asnjë meritë dhe asnjë ngasje për të qen përçarës i tyre, por natyrisht është përfitues i madh i asaj përçarje, dhe argëtohet shumë kur e akuzojnë për përçarës. Shumë socialist fanatik të mërzitur me të që i ka lënë pa punë apo pa biznes dhe ndihmon ndërkohë njerëz të rrethit të Berishës të bëjnë dhe kulla, kur dëgjojnë që ky ka përçarë Saliun me Lulin kënaqen dhe nuk duan “as ujë as bukë”.
Opozitarët qe janë duke ngritur një mit fals të fuqisë së Edi Ramës që do ti përndjek deri kur të mbetet demokrati i fundit që do fik dritat e SHQUP.
Të pafuqishëm, të pazot dhe të paburra për ta parë të vërteten në sy dhe të drejtojnë gishtin tek Sali Berisha, ata në fakt janë kontribuuesit kryesorë të përçarjes së opozitës dhe më shumë se Berisha, pasi mbajnë në këmbë një gënjehstër e cila nuk është arsyeja pse ata janë të përçare.
Ata janë të përçarë prej Sali Berishës. E kuptoj që nuk kanë bythë ti thonë ik Sali Berishës, po të paktën të mos i gënjejnë opozitarët e thjesht duke u thëne se i ka përçarë Edi Rama, pasi kështu do shtyjnë dekada në opozitë dhe nuk do ta zgjidhin problemin derisa të vdes Sali Berisha dhe ty dal atyre frika të thonë më në fund që nuk i ka përçarë Edi Rama, por ai që mbuloi balta.
Por deri atëhere mund të kenë vdekur dhe vet.