Aktualitet
Edukim dhe diplomaci, veliera Mircea 86 vite në det! Ndalet në Durrës anija simbol e marinës ushtarake rumune

Anija simbol e marinës ushtarake rumune, veliera shkollë “Mircea”, ka mbërritur në portin e Durrësit, pas një ndalese në Selanik.Në bordin e saj vecc ekuipazhit janë dhe 76 studentë nga Akademia Detare Ushtarake e Rumanisë dhe 13 studentë të huaj nga Bullgaria, Franca, Polonia, Norvegjia, Letonia dhe Turqia. E ndërtuar në vitin 1938, “Mircea” është një velierë elegante tradicionale me tre direkë që arrijnë deri në 44 metra lartësi. Që nga viti 1939, ajo shërben si anije shkollë për Akademinë Detare Rumune, duke formuar breza të rinj të kadetëve.
Kapiteni-Komandant i anijes, Silviu Moraru thotë: “Është një nder i madh të jem kapiteni i “Mircea”-s që nga viti i kaluar. Ajo lundron prej mbi 86 vitesh. Përveç trajtimit të kadetëve nga viti i dytë i Akademisë, ne promovojmë traditat, vlerat dhe diplomacinë detare. Që nga viti 2019, “Mircea” është ambasador nderi i Rumanisë në ujërat ndërkombëtare.”Gjatë këtij udhëtimi, studentët zhvillojnë aktivitete praktike në logjistikë dhe detari ushtarak. Përveç kësaj, ata bëjnë punime dore që tërheqin vëmendjen në portet ku ndalen, ku anija hap dyert për publikun.
“Në bord kemi edhe studentë të huaj që trajnohen së bashku me kadetët tanë, duke forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin. Gjatë modernizimit të anijes në vitin 2002 u bënë përpjekje të mëdha për të siguruar kushtet më të mira për kadetët…”, shton Moraru.Kadeti George-Cosmin Maravela thot: “Kur hipa për herë të parë në anije, ndjeva një përzierje frike dhe kurioziteti. Kjo është anija stërvitore e vetme rumune dhe për mua është një mundësi e mrekullueshme të mesoj, te vizitoj porte të ndryshme dhe të shoh botën.”Pas ndalesës në Durrës, “Mircea” do të vazhdojë udhëtimin në Bari të Italisë dhe Varna të Bullgarisë, për t’u kthyer më 7 gusht në portin ushtarak të Kostantës në Rumani.Kjo velierë rumune është një simbol i traditës dhe përkushtimit në edukimin praktik të marinarëve të rinj, si dhe një urë lidhëse për promovin e miqësisë ndërkombëtare përmes detit.

