Connect with us

Aktualitet

Efektivi u hodh nga pallati, AMP: Nuk ka asnjë pretendim për presion ose ndikim

Agjencia për Mbrojtjen Policore (AMP) ka reaguar pas polemikave të shumta që shpërthyen në rrjetet sociale lidhur me rastin e policit që u hodh nga një pallat në Tiranë. Në një njoftim për media, AMP ka bërë të ditur se ka verifikuar të dhënat mbi ngjarjen dhe ka marrë një deklaratë me shkrim nga punonjësi i Policisë, A.S., i cili u dërgua në spital pas incidentit.

Sipas AMP, deklarata e administruar nga efektivi tregon se ai nuk ka ngritur asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, presionit apo shantazhit gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

NJOFTIMI:

Nisur nga interesi i disa mediave, pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në media dhe rrjete sociale, lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tirane, strukturat e AMP-së Tiranë pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar, kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës.

Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj. Veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes. AMP falënderon mediat për besimin e mirëkuptimin dhe inkurajon publikun të denoncojë çdo rast paligjshmërie në numrin e gjelbër (pa pagesë) 08009090.

Ngjarja ndodhi më 15 janar në rrugën “Kongresi i Manastirit”. 57-vjeçari me detyrë Specialist i Qarkullimit Rrugor, ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Advertisement