Sport
Ekipi ‘Çamëria’ nuk lejohet në Champions League në Greqi, shkak emri dhe simbolet shqiptare
Ekipi shqiptar ‘Çamëria‘ po përballet me kundërshtime për pjesëmarrjen në Champions Leaguen e Minifutbollit në Greqi. Skuadra nuk do të lejohet të luaj në ketë kompeticion për shkak të logos, emrit dhe fanellës. Trajneri Irtan Sejko tha për Euronews Albania se “autoritetet greke nuk dëshirojnë që skuadra me emrin “Çamëria” të marrë pjesë në Champions League e minifutbollit për shkak të simboleve”.
Mediat greke e kanë ngritur si shqetësim pjesëmarrjen e kësaj skuadre në këtë kompeticion. Gjithashtu ekipit shqiptar i është bërë thirrje të tregoj kujdes për shkak të grupeve nacionaliste greke.
Tifozat ‘Kuq e Zi’ kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj skuadrës ‘Çamëria’.
“Bashkohemi me djemtë tanë që nuk frikësohen nga forcat nacionaliste “greke” pas kërcënimeve që kanë marrë për shkak të emrit që kanë në turneun 5×5 që po luhet në Kretë. Historia ka dëshmuar gjithmonë që të atdheut e kemi ‘Çamërine’ dhe gjithmonë do luftojmë për të”, shkruhet në postim.
Përfaqësuesja e Çamërisë është formuar në mesin e vitit 2017 dhe ka zhvilluar një sërë ndeshjesh miqësore. Më 17 qershor 2017, fitorja e parë konkurruese ishte kundër Kurdistanit të Irakut në kuadër të Kupës së Kombeve të Papërfaqësuara 2017 dhe ndeshja përfundoi me një fitore 6–0 në shtëpi.