Kosova
Ekspertët: Konflikti Kosovë – Serbi mund të përshkallëzohet
Revista në gjuhën gjermane “Cicero” i ka kushtuar një artikull rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjeve të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për të parandaluar shpërthimin dhe ripërtëritjen e konflikteve të armatosura në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.
Në një artikull të përbashkët nga dy ekspertë eminentë të sigurisë – David Shedd dhe Ivana Stradner – thuhet se konflikti Kosovë-Serbi mund të përshkallëzohet për shkak të aktiviteteve destabilizuesve të presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, derisa fuqitë perëndimore janë të fokusuara në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Autorët e artikullit “Një bombë në mes të Evropës” sugjerojnë se ekzistojnë shumë indikacione se incidentet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe shkojnë përtej tensioneve të njohura të viteve të fundit, duke përfshirë fushatën dezinformuese të Rusisë për të ngjallur mosbesimin e serbëve kosovarë dhe për të përhapur mesazhe luftënxitëse.
Shedd the Stradner kanë tërhequr vërejtjen se presidentit serb nuk i duhet një fushatë ushtarake në Kosovë për të çuar përpara projektin e destabilizimit të rajonit dhe poshtërimit të NATO-s, sepse, sipas tyre, ashtu sikurse presidenti rus, ai përdor paramilitarët për të arritur qëllimet. Një shembull është sulmi terrorist i 24 shtatorit nga paramilitarët serbë në veri të Kosovës.
Vuçiç përshkruhet si një nacionalist i djathtë, i cili, gjatë luftërave ballkanike ka inkurajuar Serbinë të kryej krime në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Në artikullin e ekspertëve amerikanë thuhet se presidenti serb ka një urrejtje të veçantë për shqiptarët e Kosovës, duke kujtuar se ai ka shërbyer në regjimin fashist të Sllobodan Millosheviçit në vitet ’90.
Megjithatë, ekspertët kanë vlerësuar se politika e presidentit serb sot nuk udhëhiqet nga nacionalizimi, por nga dëshira për të qëndruar në qendër të pushtetit. Duke shkaktuar kriza sporadike në Ballkanin Perëndimor, thuhet ndër të tjera në artikullin e revistës gjermane, ai përfiton politikisht nga kaosi, duke e larguar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi.
Në artikullin e ekspertëve amerikanë thuhet se presidenti serb ka përforcuar edhe pozicionin ndërkombëtar: duke përshkallëzuar dhe depërshkallëzuar krizën në pjesën veriore të Kosovës, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, ai ka arritur të pozicionohet si “mjeshtër i stabilitetit” në rajon.
E duke i shtyrë shtetet ballkanike në prag të konfliktit, argumentojnë tutje ekspertët, presidenti rus dëshiron të demonstrojë se NATO-ja është një “tigër prej letre” dhe nuk do të veprojë derisa të testohet, ndërsa paralajmërojnë se hapja e një fronti tjetër në kontinentin evropian, do t’i kufizonte seriozisht përpjekjet e bashkësisë perëndimore për të mbështetur Ukrainën.