Connect with us

Kosova

Eksperti amerikan për ‘Javelin’ dhe Kosovën: Sinjal i ndryshimit

“Mesazhi që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Serbi, duke paralajmëruar shitjen e raketave kundërtanke në Kosovë, është se Beogradi zyrtar nuk konsiderohet më partner i besueshëm” – Kështu tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kurt Bassuener, hulumtues i lartë në Këshillin për Demokratizim të Politikave me seli në Berlin.

SHBA-ja njoftoi më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA. Departamenti amerikan i Shtetit gjithashtu tregoi se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.

Tani kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet. Ndërkaq, homologu i saj serb, Aleksander Vuçic, e ka cilësuar lajmin si “zhgënjim të madh”.

Bassuener tha se beson se kjo lëvizje nuk shfaq njëndryshim të politikës së Perëndimit ndaj Vuçicit, por është tregues se ndryshimi i kesaj politike mund të shqyrtohet.

Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, kufi që ruhet nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e banuar me shumicë serbe – përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Eksperti amerikan Bassuener tha se beson që incidenti në Banjskë është një prej motiveve që SHBA-ja dëshiron të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

“Në takimet e mia në Uashington, nuk kam parë ndryshim të madh në mënyrën e mendimit, por ka më shumë bindje se politikat që janë ndjekur deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, prandaj shpresoj se vendimi për raketat ‘Javelin’ është sinjali i parë i ndryshimi të strategjisë së sjelljes ndaj Ballkanit Perëndimor nga të dyja anët e Atlantikut” – theksoi eksperti amerikan.

Shitja e sistemeve ‘Javelin’, sipas DASH, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon”.

Advertisement