Rajon
Eksperti britanik: Asociacion ose korrigjim kufijsh
James Lindsay: Ata që i kundërshtojnë të dyja, s’kanë interes për zgjidhje
Eksperti britanik, njohës shumë i mire i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, James Lindsay, në një intervistë ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për dy opsione që sipas tij kanë mbetur në rrugën për të ecur përpara.
Sipas tij, ato janë ose ndarja ose krijimi i një autonomie për serbët pra që nënkupton krijimin e Asociacionit.
Ai theksoi se ideja e korrigjimit të kufijve ende s’ka vdekur dhe se ka ende njerëz që e mendojnë se është një nga opsionet. Madje, ai përmendi edhe fjalët e një ish-diplomati amerikan që e kishte përshkruar korrigjimin e kufijve si një ide, koha e së cilës ende s’kishte ardhur.
Duke iu përgjigjur pyetjes retorike se çfarë mund t’i ofrohet Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës, u shpreh:
“Ka vetëm dy opsione – e para është ndarja dhe e dyta është dhënia e një “autonomie kuptimplotë” për serbët që jetojnë në Kosovë.
Sipas tij, me ndarje nënkuptohet një vijë demarkacioni kufitar për të cilin palët do binin dakord…dhe për këtë përmendi shembullin e Irlandës së Veriut.
Eksperti britanik tha më tej se nëse ky opsion është i papranueshëm atëherë duhet të bëhet Asociacioni i Komunave Serbe.
James Lindsay tha edhe se është për të ardhur keq që ka zëra të cilët I përjashtojnë të dyja opsionet, duke nënkuptuar kryeministrin e Kosovës. Sipas ekspertit britanik, Albin Kurti nuk është i interesuar për marrëveshje të qëndrueshme.