Connect with us

Kosova

Eksperti për Radoiçiçin që është i lirë dhe sillet vërdallë

Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi, ndërsa nga institucionet e sigurisë në Kosovë ky veprim merret si kërcënim.

Shqetësimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian se incidentet e dhunshme në Kosovë mund të shndërrohen në “konfrontim rajonal”, i kanë përforcuar edhe krerët e shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist i Milan Radoiçicit, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb. Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçic drejtoi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

Ndërsa së fundi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë.

Edhe eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ardian Shtuni thotë se deklaratat e Kurtit për rigrupim të paramilitarëve serbë janë për t’u shqetësuar.

Ai u shpreh se pavarësisht se gjykata serbe e ka shpallur fajtor Radoiçiqin për cenim të sigurisë publike dhe kontrabandim të armëve, ai shëtitet i lirë në Serbi madje edhe organizon tubime politike.

“Qartazi Radoiçic trajtohet si luftëtar lirie dhe hero dhe jo si kriminel’ – potencoi Shtuni, duke theksuar se përsa kohë që Radoiçiç është i lirë, rreziku për destabilizm të Kosovës ekziston dhe se është e qartë se Beogradi nuk ka për qëllim që ti vendos para drejtësisë kriminelët.

Advertisement