Kosova
Ekspertja amerikane ndez semaforin e kuq: Vuçiç rrezik për rajonin e Ballkanit, ja kaosi që do të krijojë
”Presidenti serb Aleksander Vuçiç, ashtu si Vladimir Putini, nuk do të lejojë ndonjë përparim në rajon drejt perëndimit. Ashtu siç presidenti rus i frikësohet demokracisë në lagjen e tij, Vuçiç ka frikë nga demokracia në Ballkan” – Kështu ka thënë Ivana Stradner, këshilltare shkencore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë ne Uashington.
“Dhe një formë e asaj lufte hibride që ai po bën është në Mal të Zi, dhe ne e dimë qe këto dy vitet e fundit se si roli I tij ka qenë polarizimi atje, njohim gjithashtu rolin e kishës që e ka përdorur për qëllime të caktuara sigurie, për ta instrumentalizuar dhe për ta përdorur’ – tha Stradner.
Duke folur për protestat që u organizuan në Podgoricë me rastin e votimit të rezolutës per Srebrenicen, Stradner tha se pavarësisht se në dy ditët e protestës ishin vetëm disa qindra persona qe moren pjese, mesazhet e dërguara nga të grumbulluarit ishin interesante.
“U përmendën Rusia, Serbia dhe e gjithë kjo është pjesë e distancimit të mëtejshëm të Malit të Zi nga Perëndimi. Vuçiç mund të thotë gjithmonë se nuk jam më i keqi, por alternative e tij është gjithmonë më e keqja. Fatkeqësisht, një situatë të tillë e shoh edhe në Mal të Zi, ku Beogradi e përdor për momentet e tij gjeopolitike” – deklaroi Stradner.
Liturgjia para udhëtimit në Nju Jork, mbështjellja me flamurin serb gjatë votimit, autokolonat nëpër Beograd, janë vetëm disa nga shembujt e fushatës që Vuçiç donte t’i dëshmonte popullit serb se do të bënte më të mirën për të siguruar që rezoluta nuk do merrte shumicën e nevojshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Megjithatë, përveç gjithë kësaj, Stradner u shpreh se Vuçiç e dinte se cili do të ishte rezultati dhe se kjo nuk do të ndikonte në fuqinë e tij në Serbi.
“Nuk duhet të harrojmë se Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në qeverinë e Milloshevicit dhe se ai është një nga ekspertët më të mëdhenj të informacionit dhe luftës psikologjike në rajon. Është pjesë e luftës informative që ai përdor vazhdimisht për audiencën e brendshme dhe për luftën psikologjike të popullatës së tij. Edhe pas seancës ai e deformoi lajmin, “Bëra maksimumin, e dua Serbinë, por ne jemi viktima, ne jemi një vend i vogël, por të gjithë janë kundër nesh” – tregoi ekspertja e njohur duke shtuar se “Atë që e kemi parë me vite në Mal të Zi, për fat të keq, do kemi mundësi ta shohim edhe në Maqedoninë e Veriut, një vend tjetër i NATO-s që gjithashtu ka ambicie drejt Bashkimit Evropian”.
Stradner beson se nuk do të ketë konflikte të armatosura në rajon për shkak të tensioneve të rritura, siç është rasti në Ukrainë, por, theksoi ajo, paralajmërimet e shërbimeve të inteligjencës amerikane si dhe agjencive të tjera në të gjithë Evropën, thone se përshkallëzimi etnik do të ndodhë në vitin 2024 dhe se duhet të merret seriozisht.