Connect with us

Aktualitet

‘Ekstradimi i Josifit…’, El Pais: Ka mbështetje nga politika në Shqipëri

Gazeta e njohur spanjolle El Pais ka risjellë në vëmendje një artikull në lidhje me çështjen e ekstradimit të Amant Josifit nga Dubai në Spanjë, i cili ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrim me call-centre. Në një shkrim të gazetares Rebeka Carranco thuhet se “një prokuror, një gjyqtar dhe një ekip policie janë duke luftuar për gati gjashtë vjet për të çmontuar atë që ata e konsiderojnë si një rrjet global për mashtrimin e mijëra personave me investime të rreme financiare”. Objektivi, thuhet në shkrim, është arritja e ekstradimit të Amant Josifit, 35 vjeç, biznesmen i njohur shqiptar, ish-këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, tashmë banues në Dubai.

“Gjykata e ka kërkuar që në nëntor të vitit të kaluar, kur në Shqipëri u zhvillua një operacion europian në disa call centera në pronësi të Josifit, ku persona të punësuar mashtronin qytetarët nga e gjithë bota. Ata nuk gjetën asnjë gjurmë të biznesmenit dhe që nga ajo kohë ai figuron zyrtarisht si i arratisur nga drejtësia. Sipas urdhrit të ekstradimit, hetuesit e akuzojnë atë se ka luajtur “një rol udhëheqës në një organizatë kriminale ndërkombëtare që, me përdorimin e inxhinierisë sociale, përfiton nga kryerja sistematike e mashtrimeve shumë të sofistikuara”, thuhet në shkrimin e El Pais.

“Josifi gëzon një mbështetje politike dhe sociale në vendin e tij, i cili e përjetoi si tërmet operacionin e arrestimit të tij një vit më parë. Si dhe arrestimin e tij zyrtar të mëpasshëm më 4 shtator në Dubai, nga i cili u lirua, në pritje të kërkesës për ekstradim në Spanjë. Kreu i gjykatës hetimore numër 2 të La Seu d’Urgell e bëri këtë më 15 shtator, me një urdhër të apeluar nga mbrojtja e biznesmenit. Hetimi që përfshin Josifin është një nga më të rëndësishmit e kryer në Spanjë dhe Evropë, ku përfshihen edhe vende të tjera, si Gjermania, Finlanda apo Suedia. Policia vlerëson se ka më shumë se 235,000 ‘viktima’, të një organizate që fiton 400 euro në minutë dhe 50 milionë çdo tremujor dhe që ndryshon emrat, domenet dhe vendet sa herë që përpiqet dikush ta ndalojë. Vetëm në Spanjë, ata kanë zbuluar rreth 17,000 ‘viktima’ të mundshme.

Vetëm në qytetin e La Seu d’Urgell janë identifikuar 47 raste, në një mashtrim prej më shumë se 3.3 milionë, dhe 500 ankesa të tjera në të gjithë territorin”, thuhet në shkrim. Në këtë kuadër, hetuesit pohojnë se Amant Josifi ka rolin kryesor dhe për këtë arsye gjyqtari kërkon ekstradimin e tij në Spanjë. Nga ana tjetër, biznesmeni pretendon se ka marrë me qira vetëm qendrat e thirrjeve dhe distancohet nga çdo aktivitet kriminal. Avokati mbrojtës i tij Gonzalo Boye thotë se Josifi është në dispocion të gjykatës, madje i është ofruar disa herë të dëshmojë me videokonferenca.

 

 

Ai argumenton se ekstradimi nuk përputhet me parimin e “proporcionalitetit”, përveç nëse objektivi “është vetëm dhe ekskluzivisht burgosja e z Josifi”. Prandaj, ai argumenton se ekstradimi i tij do të ishte një “masë joproporcionale, e panevojshme dhe e papërshtatshme, lëshimi i kërkesës për ekstradim është në kundërshtim të hapur me rregulloret e Unionit”. Ndërkohë gjykata këmbëngul se ekziston rreziku i lartë i arratisjes dhe përsëritjes së krimit, në një betejë ku tashmë fjalën e parafundit e ka Gjykata e Lleidas në Spanjë, mbyllet artikulli i gazetës së madhe spanjolle.

Advertisement