Connect with us

Rajon

Ekzekutimi i gazetarit grek, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e gazetarit Giorgos Karaivaz në vitin 2021, njoftoi ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri vuri në dukje se autoritetet kishin premtuar se rasti do të zgjidhej edhe nëse do të zgjaste shumë, duke shtuar se hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht vrasjen e Karaivazit.

Në një deklaratë të veçantë, selia e Policisë Helene tha se dy personat e arrestuar janë shtetas grekë, të moshës 40 dhe 48 vjeç.

Karaivaz u qëllua gjashtë herë jashtë shtëpisë së tij në bregdetin jugor të Attica Alimos, më 9 prill 2021, nga dy burra me motoçikletë.

 

 

Edhe pse Karaivaz kishte bashkëpunuar me disa medie si dhe kishte drejtuar edhe një faqe të tijën në internet, ai nuk kishte raportuar ndonjë kërcënim dhe nuk kishte kërkuar mbrojtje nga policia.

Mediat dhe kolegët e viktimës dyshojnë se vrasësit kishin vepruar në emër të kriminelëve, aktivitetet e të cilëve gazetari i kishte hetuar.

Në atë kohë, rasti shkaktoi një protestë ndërkombëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e dënoi aktin, duke thënë se shpresonte që kriminelët së shpejti do të silleshin përpara drejtësisë.

Ai ishte i martuar dhe kishte një fëmijë.

Advertisement