Kronike
Ekzekutimi që tronditi Shkodrën në mëngjes/ Ntv siguron foton, kjo është makina BMW me të cilën u largua vrasësi i Shkodrës

NTv ka siguruar foton e makinës tip BMW që u përdor nga autori i masakrës në Shkodër, Ragip Gila, për t’u larguar nga vendngjarja pas krimit.
Makina tip BMW i përkiste një qytetari që nuk kishte lidhje me ngjarjen, por u vodh nga autori nën kërcënimin e armës pasi kishte vrarë 2 persona dhe plagosur 2 të tjerë brenda një lokali në qendër të Shkodrës.
29-vjeçari Gila ka qenë i armatosur me dy armë dhe antiplumb. Ai mbërriti para lokalit me një motor. Hyri brenda lokalit dhe hapi zjarr duke shkaktuar masakrën. Më pas doli nga dera e dytë e lokalit dhe eci në këmbë për disa metra, pasi motorin e kishte braktisur. Nën kërcënimin e armës, mori makinën BMW të një qytetari dhe u arratis deri në lagjen Skënderbeg. Për shkak të ndjekjes nga policia, bëri aksident duke u përplasur me disa mjete.
Edhe BMW-në e braktisi dhe u largua në këmbë duke tentuar të kalonte lumin Kir. Por aty u kap nga forcat Shqiponja.
Nga kjo masakër me armë mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.

