Kronike
Ekzekutoi me thikë të dashurën shtatzënë, Vanesa nuk përndiqej vetëm nga shqiptari
Janë zbardhur detaje të reja nga krimi i rëndë që trondit të martën Italinë, ku 27-vjeçarja shtatzënë Vanessa Ballan u vra në mënyrë makabër duke u goditur disa herë me thikë nga 41-vjeçar shqiptar nga Kosova, Bujar Fandaj me banim në Altivole.
Vanessa dhe Bujar Fandaj kishin patur një lidhje dashurie që kishte përfunduar në vitin 2022. Por ai nuk e pranonte ndarjen, edhe pse Vanessa ishte e martuar që prej vitit 2013 dhe kishte një fëmijë dhe aktualisht priste fëmijën e dytë me bashkëshortin.
Bujar Fandaj vazhdonte ta përndiqte dhe në muajin Tetor e kishte kërcënuar e shtantazhuar se do të publikonte në internet foto intime të tyre nga koha kur kishin një romancë dashurie. Për këtë arsye, 27-vjeçarja e kishte denoncuar në polici.
Së fundmi, mediat përtej Adriatikut raportojnë se edhe në vitin 2021, Vanessa ishte përndjekur nga një burrë tjetër, të cilin e kishte takuar disa muaj para Fandajt. Edhe në atë rast kishte pasur mesazhe kërcënuese, ngacmime para supermarketit ku punonte dhe telefonata këmbëngulëse.
E reja kishte bërë denoncim dhe në atë rast. Mësohet se prokuroria kishte hapur një çështje dhe e kishte dërguar në gjyq personin në fjalë. Por në seancat e para të gjyqit Vanessa Ballan tërhoqi denoncimin dhe çështja u mbyll.
Një denoncim të ngjashëm Vanessa e bëri dhe për Bujar Fandaj, më 25 tetor të këtij viti, e shoqëruar në komisariat dhe nga bashkëshorti i saj Nicola Scapinello. Ministri i Drejtësisë në Itali, Carlo Nordio u kërkoi zyrave kompetente të Dikasterit të merrnin një raport të detajuar dhe të hetonin pse nuk ishte vepruar në rastin e denoncimit të përndjekjes së dytë.