Sport
Eliminohet Alcaraz/ Tenisti spanjoll zhgënjen në raundin e dytë të US Open
Humbja në finalen e Lojërave Olimpike duket se ka lënë shenjë te Carlos Alcaraz. Tenisti spanjoll jetoi një tjetër zhgënjim të madh në karrierën e tij, duke sjellë edhe surprizën e parë në turneun Grand Slam “US Open”.
Raketa numër tre e botës u eliminua në raundin e dytë, pas një paraqitje të dobët në fushat me tartan të Nju Jorkut.
Alkaraz u mund 3-0 me sete nga holandezi Van De Zandshlup, që renditet në vendin e 74 të klasifikimit botëror.
Spanjolli ishte i padukshëm në setin e parë, ku mori vetëm një gejm.
Në dy të tjerët luftoi më shumë, por gjithsesi i dorëzoi te rivali I tij, në fillim me tie-break 7-5 dhe më pas me shifrat 6-4.
Carlos Alcaraz shihej si favorit në këtë edicion të US Open, ku në vitin 2022 fitoi titullin e parë Grand Slem në karrierë. Më pas spanjolli triumfoi dy herë në “Wimbledon dhe një herë në “Roland Garros”.
Me eliminimin e Alcaraz, kuotat e pretendentëve të tjerë Janik Sinner dhe Novak Djokovic rriten ndjeshëm, pasi të dy ata kaluan në raundin e tretë të US Open.
Italiani, që mban raketën numër një të botës mundi 3-0 me sete amerikanin Aleks Mikelsen.
Gjithçka e lehtë për Sinner, që dominoi dhe i la rivalit të tij vetëm 6 gejme në ndeshjen që zgjati vetëm 1 orë e 41 minuta.
Akoma më të lehtë e kishte Djokovic. Serbi, numri dy I botës kaloi patriotin e tij Laslo Djere, që pasi humbi dy setet e parë, u tërhoq në të tretin.