Connect with us

Bota

Elon Musk merr propozimin që mund ta bëjë atë trilionerin e parë në botë

Elon Musk, tashmë personi më i pasur në botë, mund të bëhet trilioneri i parë pasi bordi i Tesla-s ka prezantuar një paketë të madhe pagese për CEO-n e saj, me qëllim që ta mbajë të fokusuar në kompaninë e automjeteve elektrike.

CNN raporton se kjo paketë do t’i japë atij aksione shtesë të Tesla-s nëse kompania arrin të rritet shumë mbi vlerën aktuale, me një kapitalizim tregu shumë më të madh se çdo kompani tjetër deri tani.

Paketa e mëparshme e pagës së Musk, që e shtoi ndjeshëm pasurinë e tij, përmbante edhe plane ambicioze rritjeje që dikur dukeshin të paarritshme, por që Tesla i arriti me lehtësi.

Paketa e re mund t’i japë Elon Musk-ut 423.7 milion aksione shtesë të Tesla-s. Sipas vlerës aktuale të aksioneve ato do të vlerësoheshin 143.5 miliardë dollarë.

Por Musk do t’i marrë ato aksione vetëm nëse vlera e aksioneve të Tesla-s rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme. Aksionet e kompanisë duhet të arrijnë një vlerë totale prej 8.5 trilionë dollarësh që Musk të marrë të gjitha aksionet, shumë më lart se kapitalizimi aktual prej 1.1 trilion dollarësh dhe rreth dyfish i vlerës së tanishme të Nvidia-s, kompania më e vlefshme aktualisht në treg.

Deklarata e bordit të kompanisë që paraqet planin e pagës për shefin e vet ekzekutiv, përfshin edhe një propozim për aksionerët që Tesla të marrë një pjesë në xAI, një kompani private e inteligjencës artificiale që gjithashtu i përket Elon Musk-ut. Kjo mund të ndihmojë Elon Musk të konsolidojë më tej perandorinë e tij në rritje.

Musk aktualisht zotëron 410 milion aksione Tesla, me vlerë 139 miliardë dollarë sipas çmimit të së enjtes. Ajo pjesë, së bashku me aksionet e tij në xAI, kompaninë raketore SpaceX dhe disa kompani të tjera që ai ka themeluar dhe drejton, e kanë bërë atë personin më të pasur në planet, me vlerë 378 miliardë dollarë sipas të dhënave nga Bloomberg.

Advertisement