Kronike
EMRAT/ Dhuna ndaj 3-vjeçares, procedohen shefi i krimeve në komisariatin nr.1 dhe vartësi i tij
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka referuar për vlerësim në Prokurorinë e Tiranës, materialet procedurale në ngarkim të dy punonjësve të Komisariatit Nr.1 në kryeqytet, për “Shpërdorim detyre”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në një kopsht privat, ku ndaj një 3-vjeçareje u ushtrua dhunë nga edukatorja, duke i thyer edhe këmbët.
Janë proceduar Nënkomisari Ylli Çako, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve dhe Nënkomisari Ergys Brahimaj, me detyrë Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve.
Dyshohet se punonjësit e Policisë nuk kanë kryer veprime të plota hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kryer keqtrajtimin e të miturës në ambientet e kopshtit në datë 1 nëntor.
Ndërkohë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra dhe ka nisur hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për 3 oficerë policie.