Connect with us

Kronike

EMRAT/ Kush është palestinezi që vrau 24-vjeçaren dhe u largua nga Shqipëria

Policia e Tiranës ka dalë me një komunikatë shtesë në lidhje me ngjarjen e regjistruar paraditen e sotme në Tiranë, ku një vajzë e huaj u gjet e vrarë me thikë brenda një apartamenti të marrë me qira me bashkëshortin e saj.

Autoritetet policore raportojnë se viktima është shtetasja palestineze Ryyan Alwan, 24 vjeçe. Dyshohet se autori i krimit është bashkëshorti i saj, shtetasi palestinez Fadi Alwan, 49 vjeç.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, e cila bën me dije se krimi dyshohet se ka ndodhur disa ditë më parë, teksa Fadi Alwan është larguar nga Shqipëria pasi ka kryer vrasjen.

“Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.

Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases Ryyan Alwan, 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin Fadi Alwan, 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja. Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.” – njofton Policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi një banese të marrë me qira ditore, në rrugën “Gjon Muzaka”, pranë Bllokut të Ambasadave. Çifti e kishte marrë me qira apartamentin që prej datës 19 Shkurt.

Pronarët e banesës, pasi nuk e kishin parë prej dy ditësh çiftin, telefonuan Policinë dhe pasi uniformat blu u futën brenda gjetën vajzën pa shenja jete, me plagë thike në bark dhe në krah.

Ndërkohë, partneri i saj nuk është gjetur aty dhe është shpallur në kërkim, teksa kishte marrë me vete dhe të gjitha dokumentet, edhe të partneres së tij.

Në dëshminë e dhënë për grupin hetimor, pronarët e banesës kanë deklaruar se e kanë dëgjuar çiftin të fliste arabisht dhe gjermanit, teksa gruaja ka qenë e mbuluar. Pronarja e banesës ka thënë se u ka kërkuar kartën e identitetit, kur ata kanë marrë me qira apartamentin, por kanë deklaruar se nuk e kishin.

Dyshohet se shkaku i vrasjes mund të ketë qenë një grindje e çastit mes çiftit, teksa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur dy ditë më parë.

Advertisement