Politike
EMRAT/ Kandiatët socialistët për zgjedhjet
Pas katër viteve të qeta në qeverisjen lokale, Partia Socialiste do të përballet me një garë të vërtetë më 14 maj për pushtetin lokal, duke qenë se në zgjedhjet e shkuara i mori të gjitha bashkitë në vend, për shkak të vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet.
Ndërsa këto të fundit po afrojnë, pritet me kuriozitet kush do të jenë kandidatët, sidomos në qytetet kryesore.
Ne ndërkohë, po sjellim emrat e mundshëm dhe ata të konfirmuar, në disa prej qarqeve kryesore.
Tiranë
Erion Veliaj tashmë është konfirmuar si kandidati i socialistëve në bashkinë më të rëndësishme në vend. Madje tashmë është konfirmuar edhe rivali i tij, Belind Këlliçi, ndaj për Tiranën nuk ka më shumë kuriozitet përsa i përmet emrave të kandidatëve.
Shkodër
Në Shkodër Partia Socialiste po mendon të dalë me kandidat deputetin Benet Beci, i cili shihet si mundësia për të kaluar Bashkinë e Shkodrës nën drejtimin e socialistëve. Kjo, duke qenë se Benet Beci është një figurë potenciale dhe me popullaritet në Shkodër.
Fier
Gjasat janë që pavarësisht dritë-hijeve dhe përplasjeve me Partinë Socialiste të Fierit, Armando Subashi të tentojë të jetë kryetar bashkie për një tjetër mandat. Kjo duket se konfirmohet dhe nga largimi i Petro Koçit nga Fieri, i cili do të angazhohet në fushatë në Tiranë.
Kujtojmë që Koçi pati bërë disa akuza të forta në drejtim të Subashit.
Por një kandidaturë e përfolur dhe e pëlqyer ndër socialistët e Fierit duket të jetë edhe ish- deputeti Ervin Koçi.
Durrës
Ermijana Sako momentalisht duket në pozita të forta për të rikandiduar për Bashkinë Durrës. Po një tjetër kandidate potenciale me peshë politike dhe e pëlqyer jo vetëm ndër socialistët, duket të jetë edhe ish- ministria Eglantina Gjermeni. Gjithashtu prefekti Emiljano Jani është një kandidaturë e përfolur.
Vlorë
Pas problematikave të krijuara në Vlorë nga kryetari aktual Dritan Leli, Partia Socialiste do përpiqet të rifitojë terren dhe të konsolidohet me një kandidat politik. Emri më i përfolur për momentin është deputeti Ilir Metaj, një njeri me mbështetje në qytetin bregdetar. Ish-menaxher i suksesshëm dhe aktiv prej vitesh jo vetëm në politikë, por edhe në media si publicit, Metaj thuhet se gëzon pëlqimin e socialistëve të Vlorës për të qenë kandidat për drejtimin e Bashkisë.
Por kandidatë të tjerë të mundshëm për Bashkinë Vlorë janë edhe prefekti aktual Flamur Mamaj, si dhe kryetari i ri i PS Vlorë, Admir Malaj.
Elbasan
Kryetari aktual Gledian Llahja duket në pozita të konsoliduara për të qenë përsëri kandidati socialist për Bashkinë Elbasan. Ndërkohë që në garë me të për të qenë kandidate e mundshme është edhe Ermira Urupi, bashkëkryetare e PS Elbasan.
Gjirokastër
Okulisti Flamur Golemi me shumë gjasa do të përfaqësojë socialistët për të kandiduar sërish për një mandat tjetër për Bashkinë Gjirokastër. Kandidatë të tjerë të mundshëm flitet të jenë prefekti Odise Kote, si dhe ish kandidatja për deputete në zgjedhjet e fundit Matilda Çela.
Korçë
Në qytetin juglindor, edhe këtë herë duket se nuk do të ketë surpriza dhe socialistët do të kandidojnë edhe njëherë tjetër Sotiraq Filon.