Kronike
EMRAT/ Planifikuan vjedhje me armë, arrestohet 66-vjeçari
Një grabitje me armë është parandaluar në Lushnje ditën e djeshme. Policia bën me dije se në pranga ka rënë një 66-vjeçar me emrin Bukurosh Mukja, ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Në kërkim janë Renato Çala e Florenc Tatoshi. Këta persona kishin planifikuar një grabitje me armë ditën e djeshme në Lushnje, por u parandalua falë inteligjencës informative.
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë/Vijon operacioni policor i koduar “Parandalimi”. Gjatë kontrollit të zonës dhe ndjekjes së autorëve, lokalizohet dhe kapet në Elbasan, njëri nga autorët e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, i zhvilluar ditën e djeshme, për parandalimin e një vjedhjeje me armë zjarri. Vihet në pranga 66-vjeçari (drejtuesi i automjetit), i cili u largua bashkë me 2 autorët e tjerë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen e autorëve dhe krehjen e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Si rezultat i koordinimit mes Policisë së Lushnjës dhe asaj të Elbasanit, u bë i mundur lokalizimi i njërit prej autorëve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit. Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin B. M., 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Shtetasi B. M. dhe 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, R. Ç dhe F. T., kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë, por falë inteligjencës informative, Policia e Lushnjës ka mundur të parandalojë vjedhjen me armë. Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion. Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.