EMRAT/ U arrestuan dje, dalin fotot e grupit që furnizonte Tiranën me ekstazi
Pesë persona, 2 nga Kosova dhe 3 nga Shqipëria, u arrestuan në Tiranë me 11 mijë doza droge sintetike ekstazi me vlerë 400 mijë euro.
Një prej të prangosurve është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Albeu.com ka siguruar fotot e 5 të arrestuarve, konkretisht Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Operacioni u zhvillua gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, ndërsa ditën e sotme, Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj doli me një deklaratë zyrtare.
Lokalizimi
Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Si transportohej droga
Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë.
Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.
Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.
Çfarë u sekuestrua
Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta.