Aktualitet
EMRI-FOTO/ U kap në shtëpi bari në Britani, flet i riu shqiptar: Kam borxhe…
Një shtetas shqiptar ka rënë në prangat e policisë britanike pasi u kap duke punuar në një shtëpi bari.
Në pranga ka rënë shtetasi, Krisjan Kumaraku.
Mësohet se pas arrestimit, Kumaraku ka deklaruar se kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca me kamion në mars 2023 dhe se u detyrohej para atyre që e kishin transportuar. Ai tha se i ishte thënë që të kujdesej për bimët dhe të paguante faturat e shtëpisë “ose do të kishte pasoja”.
Si u zbulua shtëpia e barit nga autoritetet
Sipas mediave të huaja, pas kontrollit të policisë në dhjetorin e vitit të kaluar u zbulua se brenda saj ishte ngritur një plantacion kanabisi ku 3 dhoma ishin përshtatur për kultivimin e drogës.
Mësohet se gjithsej u gjetën rreth 150 bimë kanabisi së bashku me gjithë pajisjet e nevojshme për rritjen dhe përpunimin e lëndës narkotike, e cila vlerësohet se vlente rreth 60 mijë paundë.
Raportohet se policët gjetën disa fatura për pagesën e energjisë elektrike dhe taksave të këshillit, të cilat ishin bërë në pikat lokale. Policia kontrolloi kamerat për të parë se kush kishte bërë pagesat përkatëse dhe identifikoi të riun shqiptar Kumaraku.
Gjatë arrestimit të tij, 26-vjeçarit iu gjetën çelësat e banesës, dy telefona celularë dhe rreth 300 paundë britanikë.