Connect with us

Aktualitet

EMRI/ U arrestua për kultivim kanabisi, gjykata lë të lirë 43-vjeçarin

Gjykata e Durrësit ka vendosur lirimin e menjëhershëm të shtetasit Selman Krasniqi pasi mbahej padrejtësisht në paraburgim.

43-vjeçari nga Shijaku i cili ishte shpallur në kërkim për kultivim të kanabisit dhe posedim të një arsenali armësh u arrestua nga policia pak ditë më parë.

Vëllai i tij Fredi Krasniqit ishte arrestuar më parë, gjatë operacionit “Krahët e krimit”, të zhvilluar në janar të këtij viti, ndërsa policia shpalli në kërkim si bashkëpunëtor të tij dhe 43-vjeçarin.

Vëllezërit u akuzuan nga policia e Shijakut për ngritjen e një shtëpie bari, në bashkëpunim, në godinën 4-katëshe, pranë 4 Rrugëve të Shijakut ku banojnë bashkë me familjet e tyre. Përveç akuzës për kultivim kanabisi në një hapësirë të fshehtë të ndërtuar me mur të dyfishtë u gjet dhe një arsenal armësh, që Fredi Kransiqi pati deklaruar se ishte harruar atje që nga viti 1997.

Gjatë operacionit 7 muaj më parë, policia zbuloi dy kate të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me llamba dhe sekuestroi 444 bimë narkotike kanabis sativa, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të paligjshme.

Gjithashtu në një ambient me mur të dyfishtë, u gjet i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vëllai i Selman Krasniqit, pas arrestimit pati deklaruar se e kultivoi kanabisin për të siguruar para për një ndërhyrje që duhej të bënte, ndërsa armët ishin të harruara në atë vend të fshehtë, duke marrë përsipër akuzën e ngritur dhe shfajësuar të vëllain, i cili pas arrestimit u la i lirë me vendim të gjykatës.

Advertisement