Kronike
Emri/ U plagos dje në Laç, ndërron jetë te spital 24-vjeçari

Geri Bitri, një nga 5 të plagosurit e përplasjes me armë mesditën e së shtunës në Laç ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës. Mësohet se 24-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka gjetur vdekjen gjatë natës.
Plagosja me armë zjarri ka ndodhur ditën e djeshme në Laç pranë ish-Gjykatës së Kurbinit. Të plagosur kanë mbetur Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi, Geri Bitri dhe Angjelina Gjezaj. Kjo e fundit po shiste qirinj anës rrugës në momentin e plagosjes. Pesë personat e plagosur u dërguan për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa një prej tyre u raportuar që në momentet e para se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme është zbardhur ngjarja ku mbetën të plagosur me armë zjarri 5 persona, tashmë me 1 viktimë në mes. Sipas informacioneve zyrtare policore, policia ka arrestuar dy të rinjtë që kanë përdorur armë zjarri. Në pranga janë vënë Daniel Gjeloshi, 27-vjeç dhe Klevis Ndreca, 28-vjeç, të dyshuar si autor për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,
Nga veprimet hetimore, rezulton se konflikti mes te rinjve ka nisur për shkak të një aksidenti rrugor me dëme shumë te vogla materiale dhe më pas ka vijuar mes palëve duke përdorur armët e zjarrit. Nga këqyrja kamerave te sigurisë është mësuar se janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një arme e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, te cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

