Aktualitet
EMRI/ Vrasja e Luljetës, denoncimi i 15-vjeçares çon pas hekurave një tjetër person
Një tjetër person është arrestuar pas vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Preza te ura e “Dajlanit’ në Durrës.
24-vjeçari Eridon Patlli ka rënë në prangat e policisë pasi 15-vjeçarja e proceduar për moskallëzim krimi, ka treguar se i riu e ka shfrytëzuar për prostitucion gjatë kohës që kanë bashkëjetuar.
Edhe e ndjera Luljeta Preza që u vra nga dy shtetasit Aldo Ibrahimi 22 vjeç dhe Ylli Grabovari 45 vjeç, dyshohet se shfrytëzohej për prostitucion dhe vrasja e saj ka nxjerrë zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të proceduar penalisht për vrasjen e shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, më datë 02.08.2023, rreth orës 10:35, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Eridon Patlli, 24 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 02.08.2023, ka kallëzuar shtetasja 15 vjeçe, e proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, se gjatë kohës që ka bashkëjetuar me shtetasin E. P., ky i fundit e ka shfrytëzuar për prostitucion. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.