Shkrime
Enver Bytyçi tregon kush i ndaloi njohjet e reja për Kosovën

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, ka folur lidhur me njohjet e reja për Kosovën, të cilat kanë ngecur në vend për më shumë se tre vite.
“Njohjet e Kosovës nga shtetet e tjera anëtare të OKB-së është dhe duhej të ishin objekti kryesor i qeverisë, presidentes, ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të Kosovës. Fakt është se këto njohje janë ndaluar para ardhjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në pushtet. U ndaluan thjesht për shkak se Edi Rama, Hashim Thaçi, eminenca gri, Baton Haxhiu etj, duke qenë në pushtet në Kosovë e në Shqipëri morën vendimin për ta zhbërë shtetin e Kosovës. Së paku prej vitit 2014 e deri në vitin 2021, kur u rikthye Albin Kurti, këta dhe mbështetësit e tyre punuan bazuar në platformën serbe të ndarjes ose rikthimin e Kosovës nën sovranitetin e Beogradit” – deklaroi Bytyçi
“E mbani mend kur Kosova nuk u pranua në UNESCO? Për një votë mangut nuk u pranua. Dhe vota që e la Kosovën jashtë kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare ishte ajo e Polonisë. E kam sot e kësaj dite enigmë të panjohur se si kishte mundësi që një vend si Polonia, e cila e ka njohur nga të parat shtetin e Kosovës, anëtare e NATO-s dhe BE-së, vend kundërshtarë i rreptë i ndikimit rus në Lindje, të votonte kundër konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Unë e shpjegoj këtë vetëm me ndonjë kërkesë të Ramës ose Thaçit, apo të dyve, për ta sabotuar pranimin e Kosovës në UNESCO, sepse ata kishin në projekt ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e shtetësisë së saj” u shpreh analisti politik
“Nuk ka ndodhur për herë të parë kjo. Dihet tashmë që Rama shkoi në vitin 2014 në Londër për ti kërkuar kryeministrit britanik që të votonte kundër dhënies së statusit kandidat të vendit që ai qeveris vetë, Shqipërisë, sepse „do ti merrte meritat ish-partia në pushtet“. Pra, kur ke në krye të shtetit liderë politikë që mbrojnë vetëm interesat personale për pushtet e pasuri, shteti dobësohet, madje edhe zhbëhet. Atëherë shtetet që nuk e kanë njohur atë nuk gjejnë asnjë motiv për të shkuar te njohja.
Ndërkaq Serbia e ka shfrytëzuar këtë fakt për tu thënë vendeve të ndryshme: Mos e njihni Kosovën, se ne po bisedojmë me Ramën dhe Thaçin për ta ndarë atë dhe kësisoj ky shtet nuk do ekzistojë.
Më tej, Bytyci tha se imazhi i keq që i krijoi Hashim Thaçi Kosovës, demotivon vendet mos-njohëse për njohje.
Nga ana tjetër liderët e mëparshëm, sidomos ata të krahut të Thaçit, Pacollit e të tjerë, i dhanë Kosovës një emër të keq në botë. Kudo flitej për korrupsion, mafie e të tjera si këto.
Bytyçi ka patur kritika edhe për Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme persa i përket lobimit për njohje të reja.
“Megjithatë unë besoj se edhe qeveria e diplomacia e Kosovës nuk ka qenë e aftë të bëjë atë që mund të bëhej. Nuk kam vënë re të ishte prioritet në programin e qeverisë njohja e shtetit nga shtetet e tjera. Nuk është folur sa duhet për këtë. Kam përshtypjen se pak energji politike e diplomatikë janë investuar në këtë drejtim”, theksoi Bytyçi, sipas te cilit vetem presidentja Vjosa Osmani është angazhuar me seriozitet për të patur njohje te reja
”Ndërkaq në këto dhjetë vite, e sidomos në këto tri vite, ka munguar plotësisht lobimi i diplomacisë së Shqipërisë për Kosovën dhe njohjen e saj. Edhe ky fakt e bën të vështirë suksesin e diplomacisë së Kosovës. Madje ka informacione se disa ambasadorë të Shqipërisë, në vend të lobojnë për shtimin e njohjeve, bëjnë lobim ende për ndarjen e Kosovës” deklaroi Bytyci

