Bota
Erdogan: Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha sot në Konferencën e 3-të të Platformës për Krimenë që po zhvillohet në Kiev se “Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia”.Platforma e Krimesë është një nismë diplomatike ukrainase që synon të tërheqë vëmendjen globale ndaj aneksimit të Krimesë. Rajoni u pushtua dhe u aneksua nga Rusia në vitin 2014 në një lëvizje që nuk njihet nga shumica e vendeve të tjera. Pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022, Rusia ka pushtuar pjesë të tjera të territorit ukrainas.“Turqia, e cila nuk e njeh aneksimin e Krimesë, ka mbrojtur me vendosmëri se ishte i paligjshëm që në ditën e parë. Ne theksojmë, veçanërisht në OKB, se Krimea është pjesë e Ukrainës. Siguria dhe mirëqenia e turqve tanë tatarë të Krimesë, një nga popullsitë indigjene të rajonit, është ndër prioritetet tona kryesore. Me këtë rast, përsëris pritshmërinë tonë për lirimin e Neriman Jelal, nënkryetarit së Asamblesë Kombëtare Tatar të Krimesë, dhe miqve të tij”, tha presidenti turk.Duke iu referuar marrëveshjes së grurit, nga e cila Rusia u tërhoq në mënyrë të njëanshme, Erdogan theksoi se “ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të rigjallëruar nismën e Detit të Zi. Si pjesë e këtij procesi, ne besojmë se çdo hap që do të rrisë më tej tensionin dhe do të dëmtojë qetësinë në Detin e Zi duhet të shmanget”.