Politike
Ervin Hoxha merr detyrën si ministër i Brendshëm, ja prioritetet që do të ketë
Ervin Hoxha, ka marrë zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm, në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ku morën pjesë zyrtarë e titullarë të institucioneve të varësisë.
Hoxha tha se një pjesë e konsiderueshme e karrierës së tij lidhet ngushtësisht me detyra në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, fillimisht si punonjës, drejtues e tashmë titullar, çka rrit ndjenjën e përgjegjësisë për këtë detyrë.
Ai listoi shkurtimisht disa prioritete si ministër i Brendshëm, duke nisur nga reformimi gjithëpërfshirës në zinxhirin drejtues të Policisë së Shtetit, zhvillimin teknologjik për të parandaluar ngjarjet kriminale e rritur sigurinë publike, apo përmirësimin e sjelljes dhe etikën e trupës policore në raport me qytetarët.
“Ligji i ri Policisë së Shtetit do na mundësojë realizimin e një reforme të thellë në një ristrukturim dhe efikasitet për shërbimet e policisë, në kontrollin e territorit”, theksoi ministri Hoxha.
Duke e konsideruar udhërrëfyes, dosjen e dorëzimit të detyrës nga Ministri paraardhës, ai shprehu gjithë angazhimin personal e profesional në detyrën e re.
Ish-ministri i Brendshëm Balla e konsideroi nder të madh të shërbente si ministër i Brendshëm. Ai renditi disa arritje në këtë një vit në detyrë, duke nisur nga miratimi i disa akteve ligjore me rëndësi, si ai për Policinë e Shtetit, ligji për Gjendjen Civile, apo finalizimin e projektligjit për rikuperimin e aseteve të fituara nga krimi. Më tej përmendi rezultatet konkrete si Paketa e Sigurisë në Shkolla, apo operacionet kundër narkotikëve e armëmbajtjes pa leje. Procesi i vetëpastrimit të Policisë, sipas Ballës po jep çdo ditë rezultate.