Bota
Escobar për deeskalimin në Veri: Ende s’ka përkushtim të plotë të Kosovës
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka marrë zotime nga Serbia që nuk do të kundërshtojë zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se ajo do të përballet me pasoja nëse nuk vepron në pajtim me zotimet e saj.
Qeveria e Kosovës, tha ai, duhet të veprojë në harmoni me kërkesat e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë të saj për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Escobar i ka bërë këto komente gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.
Emisari amerikan në raportimin e tij e vuri theksin te situata në veri të Kosovës dhe dhuna e protestuesve serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.
Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.
Ndonëse qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, Escobar tha se, “ende nuk ka një përkushtim të plotë të Kosovës por pajtohemi me Kosovën për shume standarde demokratike që ajo dëshiron të zbatojë dhe me realitetin se serbët e veriut që sulmuan gazetarët, policët e Kosovës dhe trupat e KFOR-it duhet të dënohen.