Kosova
Escobar tund themelet e Albin Kurtit
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen targave të makinave dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme.
Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, Escobar e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës ku institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë, të cilët u tërhoqën për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur. Nga Albin Kurti kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit të ligjit për target dhe vendosjen e çështjes se Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rendin e ditës. Kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë për tu implementuar” – tha Escobar
Emisari amerika tregoi edhe një pjesë të asaj që luhet prapa kuintave.
“Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”
Sipas analistëve vendas dhe njohësve të politikës dhe diplomacisë, rreshtat e fundit të deklaratës së Escobar mund të kuptohen si paralajmërim për themelet e qeverisë së Albin Kurtit.