Bota
“Është koha për të vepruar”/ Trump jep dritën jeshile për sanksione të reja kundër Rusisë

Një valë sanksionesh kundër Rusisë duket se është duke u zhvilluar në Kongresin Amerikan, ndërsa një projektligj po fiton terren me mbështetjen, tani edhe të Presidentit Donald Trump , i cili dje deklaroi veten “të ngopur” me sjelljen e Vladimir Putinit.
Senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut , sponsori kryesor i projektligjit, tha të martën se presidenti i dha atij “dritën jeshile ” për të vazhduar me procedurat.
” Po ecim përpara “, tha Graham , sipas Politico , duke shtuar se Trump i tha: Është koha për të vepruar, kështu që ne do të lëvizim .
Graham u shoqërua nga udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, dhe senatorë të tjerë republikanë, të cilët thanë se do të bënin njoftime këtë javë për të çuar përpara planin. Ky zhvillim mund të hapë rrugën që projektligji i ngecur prej kohësh të paraqitet për miratim këtë muaj.
Kjo rigjallërim i entuziazmit për sanksione vjen pas deklaratave publike të Trump të martën, në të cilat ai la të kuptohej se po e shqyrtonte seriozisht projektligjin, ndërsa shprehu gjithashtu pakënaqësinë e tij të fortë me refuzimin e Putinit për të filluar negociatat e paqes me Ukrainën .
Prapa skenave, Graham dhe senatori demokrat Richard Blumenthal kanë punuar mbi amendamentet për t’i dhënë Trump më shumë fleksibilitet në heqjen e sanksioneve. Ndërsa plani fillestar përfshinte një përjashtim 180-ditor për vendet që blejnë naftë ose uranium rus, versioni i ri shton një periudhë të dytë 180-ditore, e cila do të kërkonte një votim në Kongres.
“Jam i bindur se presidenti është gati të veprojë”, përsëriti Graham .
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi deklaratat e Graham dhe iu referua deklaratave publike të Trump më herët gjatë ditës.
Sipas burimeve të njohura me diskutimet, sanksionet nuk pritet të hidhen në votim këtë javë. Megjithatë, Thune ua bëri të qartë gazetarëve se është në koordinim të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë dhe Dhomën e Përfaqësuesve për orarin e saktë.
“Do të kemi më shumë për të thënë për këtë më vonë gjatë javës”, tha udhëheqësi i shumicës republikane, duke theksuar se ka shumë interes për ta çuar përpara projektligjin.

