Aktualitet
‘Është kurth, do të na dërgojnë në Ruanda’/ Plani i britanisë për emigrantët
Emigrantët i tremben jetesës në anijen e ankoruar posaçërisht për ta në brigjet britanike, pasi mendojnë se duke qenë brenda saj, do të përfundojnë në Ruanda pa e ditur. Një refugjat sudanez i quajtur Imad tha: Nuk dua të shkoj aty…më mirë fle në rrugë!
Një tjetër thotë: Është kurth, do të na çojnë në Ruanda, unë nuk shkoj aty, do të arratisem.
“Më mirë zhdukem,”– shton dikush tjetër.
Qeveria britanike ka deklaruar se emigrantët ilegalë do të akomodohen në ish-baza ushtarake në vend dhe në këtë anije që më herët është përdorur nga Gjermania në vitet 1990 dhe Holanda në fillim të viteve 2000 për të strehuar azilkërkuesit.
Ministria e Brendshme ka konfirmuar se do të presë mbi 500 azilkërkues në këtë anije, por ky vendim kundërshtohet nga disa organizata të të drejtave të njeriut, duke përfshirë disa deputetë konservatorë. Anija trekatëshe me 222 dhoma, Bibby Stockholm, do të ankorohet në Portland Harbour, Dorset dhe do të qëndrojë në port për të paktën 18 muaj dhe procesi i embarkimit do të jetë gradual.
Bibby Marine, kompania me bazë në Liverpool që operon anijen, tha se mjeti po rinovohej pasi Holanda e ka përshkruar si një vend me ‘mjedis shtypës’
Qeveria britanike ka deklaruar se emigrantët që do të jëtojnë aty do të jenë të lirë të vijnë dhe të shkojnë kur të duan, por deri në orën 23:00, pasi në atë orë, çdo mbrëmje do të bëhen telefonata për të kontrolluar që të gjithë njerëzit që dolën janë kthyer në bord.
Nënsekretari i Shtetit për Emigracionin, Robert Jenrick, ka përshëndetur propozimin e qeverisë, duke deklaruar se kjo masë do të ndihmojë “të parandalojë që Mbretëria e Bashkuar të bëhet një magnet për azilkërkuesit në Evropë”.
Megjithatë, Këshilli i Bamirësisë për Refugjatët tha se Bibby Stockholm është “plotësisht e papërshtatshme” për njerëzit që kanë shkuar në atë vend pasi u kanë shpëtuar rrahjeve dhe kërcënimeve me vdekje në vende si Afganistani dhe Irani.
“Një shtëpi lundruese nuk ofron atë që u nevojitet, as për respektin, dinjitetin dhe mbështetjen që meritojnë,” tha shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, Enver Solomon.
Kryqi i Kuq Britanik, Amnesty International dhe organizata të tjera bamirëse i kanë bërë thirrje qeverisë të heqë dorë nga planet, duke thënë se përdorimi i anijes për të strehuar emigrantët është “mizori ministrore”. Këshilli i Qytetit të Dorset është shprehur gjithashtu kundër planeve të qeverisë, duke thënë se ka “rezerva serioze” në lidhje me përshtatshmërinë e kësaj anijeje si një banesë për emigrantët.