Connect with us

Aktualitet

Estrada me TEC-et lundruese/ 68 milionë dollarë digjen në ajër

Me krenari përpara rreth një viti, Belinda Balluku prezantoi shpëtimin energjetik të Shqipërisë, që ishin dy TEC-et lundruese. Por është fakt që këto dy anije gjigante, që prodhojnë energji elektrike, nuk janë vënë asnjëherë në punë dhe ç’është më e bukura, paratë vijojnë të paguhen.

Përveçse nuk është plotësuar ende dokumentacioni i nevojshëm, KESH-it i mungon lënda e parë djegëse, që i nevojitet këtyre HEC-eve për tu vënë në punë. E vetmja gjë, që është e shkruar dhe e faktuar është se Shqipëria duhet të paguajë plot 68 milionë dollarë, edhe nëse dy anijet lundruese, të quajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk do të funksionojnë asnjëherë.

Ministrja Balluku pati lajmëruar se në janar dhe shkurt këto dy anije do të nisnin punën për furnizimin e Shqipërisë me energji elektrike, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur dhe kujtojmë që kemi mbërritur në muajin prill. Anijet e quajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” u ankoruan në brigjet e detit Jon shtatorin e vitit të kaluar, por ende nuk ka një datë mbi shfrytëzimin e tyre.

Këto dy anije erdhën në brigjet shqiptare për të plotësuar nevojat energjetike të vendit, por në të vërtetë kjo nuk ka ndodhur në asnjë moment, madje nuk ka qenë nevoja. Mesa duket qeveria në vend që të harxhojë dhjetëra miliona euro me blerjen e kësaj anijeje, mund të investojë më shumë në lidhje me parashikimin e motit në Fierzë.

Në fakt edhe atje është blerë një pajisje e shtrenjtë për parashikimin e motit, që në të vërtetë ka rezultuar gjithashtu një investim i dështuar. Për tu kthyer tek anijet, përveç faktit që nuk janë vënë në punë, ato nuk kanë bërë as një test në lidhje me efikasitetin e tyre. Ky proces ishte parashikuar të ndodhte në shkurt, por mësohet se është shtyrë edhe dy muaj të tjerë, duke u postuar në maj.

Enti Rregullator i Energjisë ende nuk i ka dhënë një licencë për prodhimin e energjisë elektrike këtyre dy anijeve. Ky është një problem që duhet zgjidhur nga KESH përpara se t’i vërë në punë. Nga ana tjetër, këto anije funksionojnë me naftë dhe KESH nuk ka siguruar ende këtë lëndë për nisjen e punës. Këto anije kërkojnë minimalisht 100 mijë ton naftë në vit.

Ministrja Balluku e ka justifikuar këtë vonesë me faktin që kaskada e Drinit është në kushte optimale dhe nuk ka qenë e nevojshme, por këtu lind pyetja: Përse u blenë këto anije nuk është e nevojshme? Ndërkohë, akoma më skandaloze këtë situatë e bën fakti që kostoja e prodhimit të energjisë në këto anije është shumë më e lartë se çmimi i energjisë në këto momente në bursa, pa llogaritur ndotjen e madhe, që shkaktojnë këto dy burime energjie.

Nga ana tjetër, vihen apo nuk vihen në punë këto dy anije, shteti shqiptar i paguan kompanisë, që i ka sjellë këto dy TEC-e një shifër prej 95 mijë dollarësh në ditë. Pra vetëm sot në lidhje me këtë ndërmarrje, janë shpenzuar 95 mijë euro kot nga qeveria jonë. Pas dy vitesh 45 milionë dollarë do t’i marrë kompania amerikane Excelerate Energy për qiranë dyvjeçare dhe 22.5 milionë dollarë firma Renco për ofrimin e shërbimit të operimit. joq.al

Advertisement