Kosova
Eurodeputeti thotë se Asociacioni nuk duhet të jetë Republika Sërpska
Eurodeputeti bullgar, Andery Kovatchev, ka deklaruar se Serbia nuk duhet t’i shmangë obligimet e saj nga marrëveshjet që kanë dalë nga procesi i dialogut me Kosovën.
Kovatchev ka bërë thirrje dhe ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Prishtina dhe Beogradi të bëjnë progres në premtimet e tyre për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Duke folur për agresionin serb në Banjskë të Zveçanit në 24 shtator, ai ka theksuar se terroristët si të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë dhe shtoi se në Evropën e sotme nuk ka hapësirë për asnjë lloj ideologjie të bazuar në urrejtje. Sipas tij, depërshkallëzimi dhe zgjidhjet për çështjet e hapura mbeten parësore.
Deputeti i Parlamentit Evropian ka pohuar se Serbia duhet të zgjedhë anën e saj dhe të tregojë përkushtim ndaj parimeve të BE-së.
“Është një nga shtetet e pakta evropiane që nuk rreshtohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Kosova ka miratuar sanksione dhe ka shprehur solidaritet të fortë me Ukrainën. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Serbia. Në përgjithësi, Beogradi duhet të tregojë më shumë përkushtim ndaj vlerave dhe standardeve të BE-së” – ka thënë Kovatchev që gjithashtu ka theksuar se ka shumë rreziqe për të pasur ndarje në Ballkanin Perëndimor dhe se shtetet anëtare të BE-së duhet të reagojnë fort ndaj kesaj tendence.