Kosova
Eurodeputja von Cramon: Nuk mund ta pranojmë këtë Serbi në BE
“Nëse Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në vend të kësaj preferon të ruajë marrëdhëniet e saj me Rusinë, BE-ja nuk duhet ta detyrojë atë” – Kështu tha në një intervistë për Euractiv, Viola von Cramon, eurodeputete dhe raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën. “Kur bëhet fjalë për Kosovën, mendoj se tani për Serbinë është koha për të kapërcyer retorikën e vjetër shumë agresive dhe qasjen e tmerrshme nacionaliste. Ne nuk mund të punojmë në këto kushte Serbinë në Bashkimin Evropian. Nuk mund të pranojmë një vend që ende jeton me të kaluarën dhe narrativat e vjetëruara” – theksoi Von Cramon. Duke iu referua edhe mënyrës se si Serbia trajton gazetarët, mediat, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera, ajo potencoi se duhet të ketë më shumë kritika ndaj Serbisë. Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Serbia t’i bashkohet Perëndimit dhe të largohet nga Rusia në politikën e jashtme. Por Serbia i ka injoruar këto thirrje dhe në situatën aktuale gjeopolitike ka intensifikuar më tej marrëdhëniet e saj me Rusinë, pa vendosur sanksione ndaj saj, siç kanë bërë vendet perëndimore.