Connect with us

Shkrime

EUROPA NE GJUME/ Ndryshojnë ekuilibrat, misioni i Ballkanit në flakë

Analisti politik, Bodo Weber, ka thënë se është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian te marrë drejtimin në rajon për t’i mbrojtur vlerat liberale-demokratike.

Ai ka vlerësuar se emërimi i Richard Grenall në pozitën e sekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), mund të paraqes kërcënim për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu ka deklaruar se duhet të merren parasysh qëndrimet e mëparshme të Grenellit.

“Emërimi i Grenellit si Sekretar i Shtetit, për shkak të mbështetjes së tij për Vuçiçin dhe autokratët e tjerë, dhe mbështetjen e tij për negociatat e mëparshme për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe agjendave të rrezikshme nacionaliste të elitave vendase etno-nacionaliste në rajon, sigurisht që do të paraqitnin një kërcënim serioz për stabilitetin dhe të ardhmen demokratike të rajonit” – ka thënë Weber për Klix

Sipas tij, është e rëndësishme që BE-ja ta marrë drejtimin në rajon.

“Prandaj tani është e rëndësishme që BE-ja më në fund të marrë drejtimin në rajon, bazuar në një mbrojtje të fortë të vlerave liberale-demokratike, në vend se të kopjojë politikat aktuale transaksionale të Trumpit përmes fokusit të gabuar në ekonomi dhe marrëveshje të ndryshme të pista ekonomike” – theksoi Veber dhe shtoi se BE-ja në çdo rast duhet të zëvendësojë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor.

“BE-ja mund dhe duhet të zëvendësojë rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, përmes një forcimit të rëndësishëm dhe vendimtar të EUFOR-it dhe forcimit të trupave të BE-së në KFOR, si dhe një oferte të mundshme nga SHBA-të që ta bëjë këtë në zëvendësim të kontigjentit amerikan – gjë që do të zvogëlonte ndikimin e mundshëm negativ të administratës amerikane në dialogun Kosovë-Serbi” – potencoi Bodo Weber

Toby Vogel dhe Bodo Weber nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian të angazhohet më fortë në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, gje që mund të ketë implikime në arkitekturën gjeopolitike.

Vogel dhe Weber kanë nënvizuar se BE-ja ka vetëm dhjetë javë, deri në inaugurimin e Trump, për t’u angazhuar seriozisht në rajon. Ata kanë kujtuar se përderisa BE-ja nuk mund të zëvendësojë fuqinë e SHBA-së në të gjithë Evropën, ajo mund të bëjë një diferencë në Ballkanin Perëndimor, një rajon ku BE-ja ka ndikim të drejtpërdrejtë.

“Kjo është e nevojshme për perspektivën e sigurisë së Evropës, por edhe hapi i parë në rikalibrimin e aktorëve politikë globalë në vazhdën e këtij rezultati zgjedhor”, kanë shkruar Vogel dhe Weber në një artikull. Për autorët, është thelbësore që BE-ja të ndryshojë qasjen ndaj procesit të zgjerimit.

Vogel dhe Weber kanë konsideruar se BE-ja, ndër vite, ka favorizuar lidershipin autokratik të disa shteteve, posaçërisht në Serbi. Kjo politikë, sipas tyre, ka rrezikuar jo vetëm stabilitetin e vendeve ballkanike, por edhe interesat e sigurisë të vetë BE-së.

“BE-ja ka dështuar në nxitjen dhe miratimin e reformave në vendet e rajonit, shumë prej të cilave kanë përjetuar një prapakthim të konsiderueshëm ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit në vitet e fundit, kryesisht në Serbi”, kanë potencuar autorët.

Vogel dhe Weber kanë trajtuar edhe ngecja e rajonit, posaçërisht Kosovës, në rrugën e gjatë drejt BE-së. “Kosova, një vend nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të Serbisë, është detyruar t’i vuajë masat e BE-së, duke u ndëshkuar për insistimin e saj në ruajtjen e parimeve dhe vlerave që Perëndimi i ka përcaktuar më parë në dialogun politik”.

 

 

 

 

Advertisement