Kosova
Europa po hesht, ndërsa Kosova po përdhoset/ Kur terroristi bëhet viktimë dhe polici bëhet kriminel

Serbia nuk e mposhti dot Kosovën me armë në Banjskë. Tani po përpiqet ta mposhtë me aktakuza të pabaza. Ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës që e kanë mbrojtur shtetin e Kosovës në Banjska, po shpallen vrasës në zyrat e një shteti që vetë nuk njeh të vërtetën.
E fundit viktimë e këtij agresioni juridik është Arbnor Spahiu – një emër i përndjekur jo për atë që ka bërë, por për atë që përfaqëson: një shtet që Serbia refuzon t’ia njohë të drejtën për të ekzistuar.
Më 7 qershor, në bazë të dosjeve të hartuara nga BIA serbe për strukturat e sigurisë së Kosovës – Policia, FSK-ja, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI-ja – autoritetet serbe arrestuan Arbnor Spahiun, ish-pjesëtar i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.
Dy ditë më pas, më 9 qershor, ndaj tij u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin për “vrasje të rëndë”, sipas nenit 114 të Kodit Penal të Serbisë, në lidhje me rastin “Banjska” të shtatorit 2023.
Avokati i tij, Arianit Koci, e ka kundërshtuar këtë akuzë duke paraqitur prova të fuqishme se Arbnor Spahiu kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës gati një vit para ngjarjes në Banjskë dhe kishte emigruar me familjen për një jetë më të mirë në Gjermani.
Ai e ka cilësuar procesin si përndjekje politike. Në thelb, ka të drejtë.
Por kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me Arbnor Spahiun. Ajo është më shumë se një proces penal. Është një akt i qartë agresioni juridik i Serbisë ndaj Kosovës.
Është tentativë për t’i nënshtruar ligjërisht ata që nuk ia dolën t’i nënshtrojnë me armë. Është edhe një përpjekje më shumë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për ta zhbërë Kosovën.
Strategjia juridike e avokatit Koci, e përqendruar në çmontimin e akuzës konkrete është një qasje e drejtë, por jo e mjaftueshme për ta përballuar narrativen e rrezikshme që po ndërton Serbia. Sepse betejën për ligjshmëri dhe sovranitet nuk mund ta mbajnë mbi supe vetëm avokatët. Është betejë shtetërore.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar arrestimin dhe ka deklaruar angazhimin e resurseve diplomatike për lirimin e Arbnor Spahiut. Kundër arrestimit ka reaguar edhe Presidenca. Por a është kjo e mjaftueshme?
Me procesin penal kundër Arbnor Spahiut nuk cenohet vetëm dinjiteti i një individi, por cenohet integriteti dhe e drejta e Kosovës për të ekzistuar. Ku është reagimi kolektiv, pushtet dhe opozitë së bashku, një reagim i përqendruar fuqishëm te esenca e këtij agresioni juridik nga ana e Serbisë.
Duhet thënë hapur dhe me zë të lartë se problemi nuk është vetëm juridik.
Ai është esencialisht politik. Dhe nuk ka të bëjë aspak me faktin nëse Arbnor Spahiu ka qenë apo jo në Banjska. Ka të bëjë me aspiratën e Serbisë për t’i përndjekur ata që mbrojtën rendin kushtetues të Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj.
Shqetësuese është edhe mungesa e reagimit parimor nga Bashkimi Evropian, edhe pse BE-ja e ka ndërmjetësuar “Marrëveshjen mbi rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, të cilën BE-ja e konsideron detyrim ndërkombëtar juridik si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Marrëveshje kjo që në nenin 1 të saj e përcakton qartë se palët “do të zhvillojnë marrëdhënie normale dhe të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta”.
Po si mund të ketë marrëdhënie të barabarta kur njëra palë arreston qytetarë të palës tjetër dhe e shpall veten autoritet penal mbi territorin e palës tjetër? Si mund të ketë marrëdhënie normale e të fqinjësisë së mirë kur njëra palë i konsideron si vrasës dhe kriminelë forcat legjitime policore të palës tjetër? Mbi çfarë logjike Serbia e aspiron të drejtën për të përndjekur policët e Kosovës që në Banjska kanë mbrojtur rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës (vlera këto që janë të përfshira edhe në nenin 2 të marrëveshjes për normalizim).
Edhe nëse për një moment lëmë mënjanë këtë marrëveshje dhe i referohemi rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, që vetë Serbia e përdor si referencë, nuk ka asnjë bazë për të justifikuar juridiksionin serb në territorin e Kosovës. Që prej 10 qershorit 1999, sipas kësaj rezolute, Kosova është hapësirë juridike e ndarë nga Serbia. Pra, edhe sipas logjikës së vet, Serbia po e shkel të drejtën që pretendon ta mbrojë.
Nëse Serbia pretendon që ka të drejtë të ndjekë penalisht policët e përfshirë në rastin “Banjska”, pra t’i konsiderojë ata kriminelë ordinerë dhe t’i akuzojë për vrasje të rëndë të disa personave (kjo është akuza specifike), atëherë kjo nënkupton që Serbia i konsideron terroristët e vrarë në Banjska si viktima të pafajshme.
Pra, për Serbinë, veprimet e armatosura të grupit terrorist të Radojcicit, të realizuara sipas një skeme profesionale luftarake dhe të mbështetura me resurse voluminoze ushtarake, qenkan veprime legjitime. Për më tepër aludimi kryesor i Serbisë është që kriminale qenka Policia e Kosovës dhe jo terroristët e armatosur deri në dhëmbë.
Si mund Bashkimi Evropian dhe të tjerët të heshtin përballë kësaj? Me çfarë të drejte ata vazhdojnë që nga Kosova ta kërkojnë Asociacionin, si një kompromis tepër i dhimbshëm për Kosovën, ndërkaq heshtin përballë shkeljeve dhe veprimeve kaq brutale të Serbisë? Heshtja e evropianëve është përmbysje e të vërtetës dhe legjitimim indirekt i agresionit.
Duhet ta themi qartë që procesi penal kundër Arbnor Spahiut, si dhe paralajmërimi për arrestimin e pjesëtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës, është përgjigje e rafinuar por brutale e Serbisë ndaj thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjska.
Në vend që të gjykojë Radojcicin dhe grupin e tij, Serbia po gjykon ata që u përballën me ta. Dhe me këtë veprim, po përpiqet të imponojë narrativen e vet se në Banjska nuk ndodhi një akt agresioni, por një “krim” i Kosovës. Pa dyshim një tentim serioz i rishkrimit të rrezikshëm të historisë dhe i tentimit për përligjur aktin e agresionit në Banjska.
Ky është thelbi i agresionit juridik: përdorimi i mjeteve juridike si instrument i propagandës dhe i agresionit shtetëror. Dhe pikërisht për këtë, institucionet e Kosovës duhet të flasin. Spektri politik duhet të ngrihet. Shoqëria civile duhet të reagojë. Sepse kur drejtësia përdhoset në heshtje, përpjekja e Kosovës për shtet të së drejtës vdes në vetmi.
Ndërkaq zyrtarët në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane nuk duhet ta relativizojnë këtë proces si një taktikë politike të Vuçiqit për konsum të brendshëm. Nuk është kjo. Është test për Evropën. Është provë nëse Evropa është për paqe apo për pazar.
Sepse në fund, nëse Serbia i ndjek si kriminelë ata që mbrojnë Kosovën, dhe nëse bota hesht, atëherë rrezikojmë që e drejta të mos jetë më në anën e atyre që mbrojnë rendin dhe të drejtën, por në anën e atyre që dinë ta shtrembërojnë. AP

