Politike
‘Familja Berisha nuk e mund dot Ramën, PD do mbetet vendnumëro, shumë të tjerë do ikin nëse…’

Nikoll Lesi shkruan në gazetën e tij, se fati i Partisë Demokratike, është i lidhur me familjen Berisha.
Sipas tij, PD me shumë mundësi do i kalojë Argita Malltezit.
“Partia Demokratike gjendet në një udhëkryq të madh. Me një kryetar historik, Sali Berishën, akoma non grata nga SHBA, në një moshë të thyer për të përballuar përballje të forta elektorale, pyetja që ngrihet sot është: kush do ta drejtojë PD-në në të ardhmen?
Emri që qarkullon më shumë është ai i vajzës së tij, Argita Berisha (Malltezi). Por a është kjo një shpresë për ringritje apo një rrezik për fundosje të mëtejshme?
Argita është një juriste e respektuar, me profil profesional serioz dhe pa njolla korrupsioni. Përkrahësit e saj e shohin si një fytyrë të re, të pastër, të aftë për të ruajtur strukturat e ngritura nga i ati dhe për të mbajtur gjallë frymën opozitare.
Në një kohë kur PD ka humbur shumë terren, një emër i tillë mund të garantojë stabilitet brenda partisë. Por nga ana tjetër, kjo lëvizje do ta fuste PD-në në rrugën e një partie familjare, ku drejtimi trashëgohet nga babai tek e bija. Kjo bie ndesh me vetë frymën demokratike që PD predikon prej themelimit.
Por a nuk është tashmë PD-ja një parti familjare?
Është!
Parti që merr 50 deputetë, që nuk rrezikon dot pushtetin e kryeministrit Rama dhe që nuk ka shanse të fitojë edhe në zgjedhjet e vitit 2029.
Nëse Berisha që në vitin 2013, kur dha dorëheqjen, do ta kishte lenë të hapur garën për kryetar të PD dhe nuk do t’ia falte Lulzim Bashës, sot PD-ja do të ishte në pushtet.
Asokohe ishte kandidat Sokol Olldashi, por ishte Berisha që nuk lejoi grupin Olldashi-Topalli-Ruli-Patozi-Bode, etj të bashkonin forcat për të fituar me vota drejtimin e PD.
Ndaj themi se PD-ja mbetet një parti familjare dhe ku Berisha gjeneron afro 400 mijë vota.
Por e thamë se nuk e mund dot Edi Ramën.
Ndaj PD-ja ose do mbetet vendnumëro, duke bërë sikur bën opozitë ose duhet të ndryshojë lidership.
Disa emra që mund ta zëvëndësonin Berishën në një proces të hapur dhe pa futur hundët Berisha, ishin Tomor Alizoti, Gazmend Bardhi apo Jozefina Topalli.
Por Bardhi humbi thellë përballë Belinda Ballukut, humbje katastrofale që nuk i jep asnjë shans të konkurojë për kryetar në PD; Tomor Alizoti, as edhe ky nuk flet dot e jo më të kandidojë pas humbjes së rëndë përballë Arbjan Maznikut.
Ndërsa Jozefina Topalli është tërhequr pasi e ka kuptuar se PD mbetet parti familjare dhe nuk ia vlen të sakrifikojë më për PD-në. Në të vertetë nëse ka patur njeri nga viti 2013 që ka lëshuar vikamën e madhe se me Lulzim Bashën nuk ka të ardhme kjo parti, është pikërisht Jozefina Topalli. Por asnjë nuk donte ta dëgjonte. Tani edhe Jozi preferon të jetë e tërhequr.
Ndaj e vetmja që mund të mbajë të paktën ato 400 mijë vota demokratësh mbetet Argita Berisha, sepse ndryshe edhe ato do të firojnë.
Nëse ajo e hap PD-në, por jo hapje sa për të thënë, atëhere ka një shpresë se mund të ringrihet selia blu.
Ndryshe do të kemi një Berishë gjithnjë e me të lodhur edhe për shkak të moshës.
Dhe një PD që vetëm prodhon mandate deputeti për një grusht miqsh, që i bashkon vetëm rroga e deputetit prej 3.2 milionë lekësh në muaj”, shkruan ai.

