Connect with us

Aktualitet

“Fan Noli! Ti je Anaksos”/ Si protestonin 33 vjet më parë shqiptarët kundër Janullatosit

Më 2 gusht 1992, Anastas Janullatos u emërua Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Kjo ngjarje ndodhi për herë të parë në Shqipërinë post-komuniste. Për atë që ka ndodhur atë ditë, ka vetëm pamje filmike dhe artikujt të botuar në mediat e kohës. Në këtë shkrim, Ntv do i bazohet asaj që është raportuar nga Kostaq Xoxa, studiues, gjatë një interviste që ka dhënë për gazetën “Republika” të 24 dhjetorit 2008.

Kostaq Xoxa  përmend faktin se Janullatosi nuk u arrit të fronëzohej në Kishë, për shkak se shumë besimtarë ortodoksë të pranishëm në kishë po i thonin “Jo“, këtij fronëzimi. Më pas, Xoxa në intervistën e tij, tregon se si u larguan nga kisha njerëzit me veladon dhe më pas lajmet që erdhën nga besimtarët e tjerë ortodoksë që Janullatosi u fronëzua në hotel “Tirana“.

“E dija edhe se “anaksos” donte të thoshte “votë kundra”. Saktësisht: “I padenjë”. Zgjedhja kërkonte votim tërësor, 100 për qind me unanimitet; domethënë pa vota kundër. U zgjova me vonesë se gjumi më kishte zënë shumë vonë. Pa hyrë ende brenda portës së madhe të kishës, dëgjoheshin thirrjet në kor: “Anaksos, Anaksos, Anaksos, Jo, Jo, Jo!” Erdhi një çast që filluan këngët: “Për Mëmëdhenë“. “Ejani këtu! Këtu! Këtu!” Pastaj: “Noli! Noli! Noli!” “Rroftë Kisha Autoqefale!” “Jashtë Janullatosi nga Shqipëria!“.Mbi pupitër, në një jastëk mëndafshi, ndriçonte një kurorë. Ishte parashikuar edhe epilogu triumfal! Por hesapet, – themi ne shqiptarët, – ishin bërë pa hanxhiun! Ortodoksët përreth më thanë se në fillim të gjullurdisë kishte dalë një i ri, me dolloma të zezë e më një jakë rrethore të bardhë që kishte thënë, me buzët të mikrofoni: –Ju lutemi, qetësi! Qetësi, ju lutemi! Jemi në shtëpinë e Zotit. Por kjo ishte bërë shkas që të ngrihej edhe më tej volumi: – Kisha është shqiptare! Zoti është me ne. Dhiaku i ri u largua me gjithë mikrofonin, të cilin mezi e çmontoi. Por s’kishte nevojë për mikrofon. Zëri ynë ushtonte gjer në majë të kupolave. Kaloi njëfarë kohe me kor e me “anaksos” dhe u ndjenë lëvizje e kërcitje dyersh të ajodhimës. U panë veladonë të zinj në lëvizje, por jo nga porta e madhe e kishës. U ulën zërat, si për të dëgjuar më mirë se ç’ po ndodhte. Ata të radhëve të para ndjenë lëvizjet gjer në derën e pasme të ajodhimës. Pastaj zëri përçoi zërin dhe u dëgjua në të gjithë sallën e kishës: – Po ikin! Po ikin! Në oborrin e madh u prish heshtja nga uturimat e veturave që dolën në rrugën e Kavajës. Sytë u drejtuan te jastëku mbi të cilin ishte vendosur kurora. Ajo nuk ishte aty! Kisha u zbraz për punë sekondash. U dëgjuan ca zëra të hollë protestues murgeshash, të cilat kërkonin, si duket, pak më shumë njerëzillëk. Por, njerëzit nuk e kishin mendjen te mirësjellja që mëtonin ato. Ata donin të dinin ku po shkonin, ku do të vinin, me kurorën që e mbante me kujdes dhiaku i ri, si një gjë që mund të thyhej! Një ortodoks që e kishte lënë makinën jashtë oborrit, në trotuarin e djathtë të Rrugës së Kavajës, si më i shpejtë, e arriti vargun e makinave që përfunduan te hotel “Tirana”. Kaq ishte kërshëria e tij. U kthye dhe u tha njerëzve: –Kanë shkuar te Pesëmbëdhjetëkatëshi! Ata më kureshtarët shkruan, ngjitën shkallët dhe zunë vend në sallën ngjitur. Lajmi u përhap nga ata: Kurorëzimi u bë në hotel “Tirana”!,”-shkruanin mediat e kohës.

Nga ceremonia e pretenduar që është mbajtur në hotel Tirana nuk ka pamje, por nga trazirat në mes të Kishës, po!

Por kjo nuk ka qenë protesta e parë dhe e fundit kundër tij. Në vitin 2014, Janullatos u prit me tubime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë kohës kur kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturia e Tij Anastasios Janullatos, po mbante një ligjëratë në një nga sallat e Fordham University në Bronx, Neë York, dhe po i jepej në mënyrë simbolike titulli Doktor i Nderit në Letrat Humane, në hyrje të portës kryesore, rrugën përballë saj, zhvillua një protestë paqësore e shqiptarëve.

"Fan Noli! Ti je Anaksos"/ Si protestonin 33 vjet më parë

"Fan Noli! Ti je Anaksos"/ Si protestonin 33 vjet më parë

“‘Janullatos shko në shtëpi’, ‘Janullatos shko në ferr’,”-këto ishin disa prej thirrjeve dhe parullave në protestën e shqiptarëve ortodoks në Bronx të New York. Ata kërkonin, shkarkimin ose largimin e Anastas Janullatosit, si kryepeshkop i shqiptarëve ortodoks.

Parrullat dhe thirrjet e protestuesve ishin në të dy gjuhët anglisht dhe shqip, por kjo nuk mjaftoi, pasi ceremonia e ndarjes së titullit Doctor HonorisCausa, u zhvillua. Ceremoninë nuk e ndaloi dot edhe ish-kongresisti JoeDioGuardi.

Advertisement