Shkrime
Fati i Kosovës përcaktohet pas 20 ditësh
Në një periudhë kritike për rajonin e Ballkanit, Kosova po përballet me presione të mëdha ndërkombëtare dhe një ultimatum të rreptë nga Gjermania për të dëshmuar seriozitet në marrëveshjet rajonale. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka manovruar mjeshtërisht në arenën politike, po fiton hapësirë dhe mbështetje ndërkombëtare. Albin Kurti, i cili dikur e shihte Gjermaninë si aleatin e tij kryesor, tani gjendet përballë një krize ku vendimet e tij jo vetëm që kanë izoluar Kosovën në proceset rajonale, por edhe kanë ngjallur frustrime tek aleatët e rëndësishëm si Gjermania dhe SHBA. Vuçiç, ndërkohë, ka shfrytëzuar këto dështime për të avancuar interesat e Serbisë, duke e bërë Kosovën nxënësen problematike të Ballkanit.
Analisti Baton Hxhiu tha se “Burimet e sigurta nga Brukseli kanë konfirmuar se deri tani Kosova nuk ka marrë ftesë për Samitin e Berlinit, një ngjarje kyçe që shënon 10 vjetorin e procesit. Kjo është një shenjë e qartë se për komunitetin ndërkombëtar, Kosova është duke dështuar në përmbushjen e angazhimeve të saj rajonale. Gjermania, me disiplinën dhe qartësinë që e karakterizon, ka vendosur një afat të prerë: deri më 13 tetor, Kosova duhet të provojë seriozitetin e saj në zbatimin e marrëveshjeve rajonale, që synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e qëndrueshëm në Ballkan.
“Samiti i Berlinit, një platformë që ka qenë jetike për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, është një proces në të cilin është investuar shumë nga vendet kryesore evropiane. Megjithatë, Kosova ka qenë nxënësja problematike e kësaj nisme që nga fillimi. Duke refuzuar aktivisht nisma si “Ballkani i Hapur”, një iniciative amerikane që Gjermania e bojkotoi me heshtje, Kosova nuk ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me vendet e rajonit. Ky qëndrim i vazhdueshëm e ka dëmtuar reputacionin e saj dhe e ka vendosur në qendër të kritikave të partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, Gjermania, e frustruar nga mosbashkëpunimi i Kosovës, ka vendosur afate dhe detyra të qarta që duhet përmbushur. Intervista e Manuel Sarazin, të dërguarit special të kancelarit Olaf Scholz për Ballkanin Perëndimor, e bëri të qartë këtë zhgënjim.
Qeveria gjermane kërkon që Kosova të mos bllokojë më proceset rajonale, përndryshe, siç është thënë, Kosova po bllokon vetëm veten.
Një aspekt tjetër shqetësues është mungesa e aleatëve të qëndrueshëm të Albin Kurtit” – deklaroi Haxhiu
Sipas analistit Baton Haxhiu, “Me Gjermaninë të frustruar dhe SHBA-në gjithashtu të shqetësuar për politikën bllokuese të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit duket se është duke humbur mbështetjen e aleatëve më të rëndësishëm. Vendimet e tij dhe politika e tij izoluese po e largojnë Kosovën nga tavolina e bisedimeve dhe po e margjinalizojnë në arenën ndërkombëtare.
“Kosova ka vetëm 23 ditë për të reflektuar dhe vepruar. Ultimatumi i vendosur nga Gjermania është një test i qartë për seriozitetin e lidershipit të Albin Kurtit. Nëse Kurti nuk ndryshon kursin, Kosova do të përballet me një izolim edhe më të madh ndërkombëtar. Ndërsa Vuçiç po fiton terren dhe po zgjeron influencën e Serbisë në rajon, Kurti po e humb jo vetëm mundësinë për të avancuar interesat e Kosovës, por edhe aleatët e saj kyç.
Nëse Kosova dështon të veprojë brenda këtyre 23 ditëve, ajo nuk do të bllokojë askënd tjetër përveç vetes. Kjo është një periudhë vendimtare, jo vetëm për qeverinë e Kurtit, por për të ardhmen e vendit. Procesi i Berlinit është një mundësi që nuk mund të humbet, dhe nëse Kosova nuk është në gjendje të tregojë një qasje serioze dhe konstruktive, atëherë përgjegjësia për dështimin do të bjerë mbi supet e lidershipit të saj. Kjo nuk është vetëm një çështje diplomacie; është një betejë për të ardhmen e Kosovës në skenën ndërkombëtare” – deklaroi Baton Haxhiu