Connect with us

Aktualitet

Fatos Lubonja: Ajo që Rama harron të na thotë, po kërkon ta shtyjë sa ta shtyjë

Fatos Lubonja ka komentuar ndryshimet që do pësojë qeveria pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste. Ai u shpreh se ndryshimet e kryera në qeveri mund të kenë lidhje edhe me hetimet e drejtësisë që mund të kenë shënjestruar anëtarë të kabinetit qeveritar. Megjithatë sipas Lubonjës, Rama ka harruar atë që thoshte në opozitë se nuk është çështje individi, por e sistemit. Sipas Lubonjës, Rama heq vetëm individët, por nuk ndryshon sistemin që ka ngritur.

“I pashë si ndryshime për të mos ndryshuar asgjë. Këto ndryshimet mund edhe të lidhen me fjalët që qarkullojnë në lidhje me hetimet që mund të jenë ndaj ministrave të caktuar. Në thelb çfarë synojnë këto ndryshime? Duhet t’i kthehemi, mendoj unë, një fjale të hershme të Edi Ramës kur ishte ende në opozitë dhe sapo erdhi në pushtet dhe bëri koalicion me Metën nëse ju kujtohet. E pyetën dhe i thanë: “Ore, për këtë Ilir Metën ti nuk ke lënë gjë pa thënë se është i korruptuar. Si tani bëre koalicion?”. Dhe ai thotë: “Nuk është çështje personash kjo punë. Kjo është çështje sistemi”.

Tani ky (Rama), herë pas here heq disa persona dhe flet për dardha dhe kumbulla që ia kanë ngrënë nga mbrapa njerëzit, por nuk i kthehet asnjëherë sistemit se çfarë bëri ky. A i bëri ky ndonjë ndryshim sistemit që njerëzit të mos bëhen hajdutë? Se ai thoshte që edhe po të vijë një gjerman në Shqipëri do të jetë i korruptuar. Dikur thoshte dhe atë frazën që e kam përdorur dhe unë dhe nuk e di nëse e ka marrë nga mua se “në Shqipëri nuk jeton dot si njeri i ndershëm në kohën e Sali Berishës”.

Tani e gjithë kjo situatë është shumëfishuar në fuqi katrore apo te katërt e të pestë. Njerëzit po ikin sepse nuk jetojnë dot ndershmërisht. E gjithë qeveria është nën akuzë dhe këtu nuk bën më fjalë njeri për sistemin. Ky është arkitekti i sistemit. Ky i bën këto për të hedhur një tymnajë që sistemi i tij të vijojë të punojë. Madje, rastet konkrete më kujtojnë historinë e Kraksit tek Tangetopoli.

Në atë kohë sistemi që funksiononte në Itali për një parti si kjo e Kraksit, ishte sistemi i “tangjenteve” apo ryshfeteve prej të pasurve që mbanin partinë në mënyrë ilegale, të paligjshme. Në atë kohë u arrestua njëri nga këta, një kandidat për bashkinë e Milanos pasi i gjetën disa para në shtëpi. Në atë kohë kryeministri Kraksi, që më kujton kryeministrin tonë sot kur flet për kumbullat pas shpine, tha se ai i kishte turpëruar të gjithë dhe se të gjithë ishin të pastër.

Por çfarë ndodhi në Itali, ai që u arrestua tha se kjo ishte punë e partisë, se kështu funksiononte partia. Kështu ai hapi të gjithë sistemin. Edhe këtu problemi ynë është të hapet i gjithë sistemi dhe jo të hiqen vetën disa kokrra kur vetë ke thënë që e keqja është sistemi. Këta që hiqen e vihen janë ca numra. Disa hiqen sepse nesër mund të jenë subjekt i SPAK-ut, por e vërteta është që ai kërkon ta shtyjë dhe të mos përballet me gjendjen dramatike të vendit”, – u shpreh Lubonja.

Advertisement